Mbi 20 mijë familje të varfra të përjashtuara nga skema e ndihmës ekonomike janë angazhimi kryesor i këtyre ditëve dhe javëve të kreut të opozitës Lulzim Basha, i cili në Vorë takoi disa prej tyre.
Sabri Vrioni, që jeton me familjen në një barakë, nuk plotësonte pikët.
Cfarë pikësh? Ku di une? Pikët thanë…
Bujar Luka, është strehuar në një ish-depo armatimi. Janari shënoi për familjen e tij largimin nga skema e ndihmës ekonomike edhe pse Mirela Luka tregon kartonin e papunësisë.
Mirela Luka: “Fëmija ka një javë pa shkollë sepse nuk e mbajnë në klasë, u prish mësimin të tjerëve. Më thanë me e shtru në spital. U thash, nuk kam mundësi, sepse atje çdo gjë do lek. E kam provuar. Kam blerë deri tek shiringat, vigonat, çdo gjë. Rrija me shpresën e ndihmës ekonomike, edhe atë e hoqën. Ka shkuar aty ku nuk mban.”
Për 3 fëmijët e Spahi Koçit, familja me 5 vetë e të cilit jeton në një dhomë kushtet e jetesës i shkaktuan bronkopneumoni.
Bashkëshortja e Fradjol Ukës e barazon ndihmën e humbur me nje thes miell.
“Atë prisja që të merrja një thes miell”- u shpreh ajo, duke shtuar se tani jeton duke marrë borxh nëpër dyqane dhe se nuk kanë gjetur punë në zyrat e punës, ku është rregjistruar me bashkëshortin.
Kreu i opozitës u tha qytetarëve se jo 20 por 30 mijë familje mund të përfitojnë ndihmë ekonomike, nëse qeveria heq dorë nga shpenzimet e luksit. Partia Demorkatike do të vijojë të kërkojë të drejtën e të përjashtuarve në kundërshtim me ligjin, theksoi Basha dhe përgjigjen nga kreu i ekzekutivit Edi Rama. /abcnews.al