Adoleshentja futbolliste i premton zv/trajneres: Nuk do ha më 2 sufllaqe dhe një sanduiç në ditë

schedule16:17 - 25 Shkurt, 2018

schedule 16:17 - 25 Shkurt, 2018

Rubrika “Ka një mesazh për ty” te “E diela shqiptare”, në të dielën e fundit të muajit Shkurt, nisi me një histori mjaft interesante. Tema kryesore ishte sporti dhe specifikisht futbolli. Esmeralda, një adoleshente nga Dibra që banon në Tiranë, është shumë e apasionuar pas futbollit dhe e ushtron atë. Por përveç se është një vajzë e disiplinuar dhe shumë e talentuar ajo ka edhe gabime, si çdokush në moshën e saj. Sot Esmeralda kishte ftuar në studio Cymen, zëvendëstrajneren e saj, për t’i dhënë një mesazh.

Esmeralda: Që e vogël e kam pas pasion, lozja me djemtë e lagjes. Shikoja ndeshjet me babin dhe gjithmonë ziheshim sepse bënim tifo për skuadra të ndryshme. Unë me Barcelonën, ai me Realin. Gjithmonë luaja pastaj kur mbusha 12 vjeç, babi u interesua për një klub futbolli, duke parë që unë e kisha pasion. Ditën e ditëlindjes sime, babai më regjistroi me ekipin e “Kinostudios”, ma bëri dhuratë për ditëlindje.

Ardit Gjebrea: Ke patur ndonjë moment që ke ngrënë gol dhe ke thënë “do ta lë këtë pasion”?

Esmeralda: Po. Kemi qenë në një ndeshje finale me ekipin e “Vllaznisë”. Nuk arrita të pres ca gola që ishin shumë të thjeshtë për nivelin tim. Dhe i thashë vetes “s’jam për këtë punë”.

Ardit Gjebrea: Po taka ke ngrënë, je vrarë?

Esmeralda: Shumë herë. Ka pasur raste që jam vrarë edhe keq. Jam transportuar në spital me ambulancë, kam humbur ndjenjat.

Ardit Gjebrea: Po në shtëpi çfarë thonë, si e pret mami përfshirjen tënde në këtë sport?

Esmeralda: Mami nuk është se i pëlqente shumë. Sepse gjithmonë mund të përfundoja e dëmtuar. Më nxihej këmba ose dora. Mami më thoshte ta lë këtë sport sepse po dëmtohesha shumë fizikisht. Babi më jepte më shumë kurajo. Ndërsa tashmë edhe mami e ka kuptuar që jam për këtë profesion duke qenë se luaj edhe me ekipin e kombëtares tashmë.

Esmeralda kishte ftuar sot në studio Cymen, zëvendëstrajneren e ekipit ku ajo luan, njëkohësisht edhe kapitenia.

Ardit Gjebrea: Pse e ke ftuar?

Esmeralda: Po se ajo gjithmonë më ka ndihmuar për gjithçka. Në disa raste kam bërë edhe unë disa gabime, dhe ajo më ka nxjerrë nga situata gjithmonë. Unë i kam shumë qejf sufllaqet. Në shkollë ha dy sufllaqe dhe një sanduiç në ditë, nuk u rezistoj dot. Duhet të mos ha shumë ushqime fast food, pasi jam mbi peshë. 

Ashtu siç tregon Esmeralda, ajo dhe Cymja kanë një marrëdhënie shumë të veçantë me njëra- tjetrën.

Esmeralda: Unë do t’i premtoj asaj që kur të shkoj në stërvitje, nuk do të qesh më, s’do bëj gallata do të jem serioze. Dhe disa nga ushtrimet të cilat nuk i bëj më për shkak të peshës, do t’i bëj të gjitha. Dhe sufllaqet, nuk është se do i ndaloj sepse nuk mundem, por do të ha një herë në dy javë.

Stafi i së “Dielës shqiptare” mbërrin në shkollën “Aleks Buda” ku Cymja po bën praktikën e saj si mëuesë fizkulture. Ajo pranon ftesën për të ardhur në studio.

Pasi prezantoi veten, drejtuesi i emisionit, Gjebrea, e la atë të shikonte personin në ekranin e murit ndarës.

Cymja: Kjo është Esmeralda Noka. Ka katër vite që e njoh. I jam mirënjohëse për çdo gjë, që ka ndjekur këshillat e mia. Dhe kur unë nuk kam pasur mundësi ku të qëndroj në Tiranë, familja e Esmeraldës ka hapur dyert e shtëpisë për mua. I jam shumë mirënjohëse familjes së saj sepse më kanë trajtuar si të isha vajza e tyre.

Mesazhi i Esmeraldës për Cymen: Cyme, të kam thirrur këtu sepse doja të të jepja një mesazh. Të falendëroj për gjithçka që ke bërë për mua, që më ke ndihmuar aq shumë, edhe kur kam qenë në rastë të vështira. Dua që të më falësh për gabimet që kam bërë gjatë stërvitjes. Dua të të jap edhe një premtim, por mos kujto se e kam të lehtë. Të premtoj që do të ha një herë në dy javë sufllaqe.

Mesazhi përmbyllet me një përqafim mes Esmeraldës dhe zëvendëstrajneres së saj, ndërkohë që Cymja i dhuron Gjebreas një bluzë të kombëtares./tvklan.al