Partizani i këtij sezoni i ka zhgënjyer shumë tifozët. Të mbrosh titullin është gjithnjë më e vështirë sesa ta fitosh atë, por “Demat” ka shfaqur probleme të shumta. Edmond Dosti flet gjithmonë hapur dhe kritikon atë që nuk i pëlqen.
Ish-sulmuesi i njohur i Partizanit, fituesi i titullit kampion në vitin 1993, sezon ku u shpall edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit, ka një thirrje për drejtuesit. Ai mendon se duhen shtuar orët e stërvitjes dhe punës së skuadrës, pasi lojtarët fillojnë e fiken në fundin e pjesës së parë.
“Në këtë kohë mbyllje, era e gatimit më kujtoi rininë. Atëherë, kur në klubin Partizani shkonim dhe hanim në mensën e klubit. Kuptohet, jo vetëm ne. Çdo klub kishte mensën e vet. Hanim, e prapë donim të hanim? Ja u them unë! Donim përsëri, sepse stërviteshim katër orë në ditë. Bënim pasime, vrap, gjuajtje pa fund drejt portës. Po sot sa orë stërvitje bëjnë lojtarët e Partizanit?
Megjithëse ka vite që Presidenti Demi ka përgatitës fizikë, shikoj që lojtarëve “u mbaron benzina” që në minutën e 40-të të ndeshjes. Ka disa që futen pa benzinë fare. Thuhet për disa, që kanë talent. Kanë, e vërtetë. Por, me dy orë stërvitje në ditë, 10 herë u bie të gjuajnë topin.
Si mund të përmirësohet talenti kur nuk gjuan në stërvitje dhjetra herë drejt portës? Brezi ynë të kishte kushtet e këtyre tani, kushedi ku do arrinte. I nderuar Olsi, rrit orët e stërvitjes nëse do rezultate, e nëse dëshiron që të shesësh lojtarë, e të nxjerrësh rentabël ndërrmarjen. PMTP”, përfundon Edmond Dosti. /abcnews.al