Përhapja e koronavirusit në Shqipëri ka vënë në vështirësi serioze ekonominë shqiptare. Qeveria është detyruar që të ndryshojë buxhetin duke përkeqësuar treguesit fiskal. Me anë të një akti normativ janë ulur parashikimet për të ardhurat me rreth 20 mld lekë ose 162 mln euro më pak. Po ashtu janë rritur shpenzimet me 9 miliard lekë para këto që do të përdoren për blerjen e pajisjeve mjekësore në kuadër të luftës kundër Covid-19.
Ky Akt Normativ bën të mundur faktorizimin e nevojave për përballimin e situatës, duke reflektuar rritjen e defiçitit buxhetor në nivelin 68.7 miliardë lekë, ose 3.9 përqind të PBB, nga 2.2 % të PBB që pritej sipas buxhetit fillestar dhe për rrjedhojë sjell edhe rritjen e borxhit publik total në nivelin e pritur prej rreth 68.8% e PBB.
Po ashtu treguesit fiskal nxjerrin në pah faktin se janë ulur investimet të cilat janë shumë të rëndësishme për ekonominë e një vendi. Ndër të tjera në aktin normativ konstatohet se edhe pagesat për koncesione janë ulur me rreth 1.9 Mld më pak si dhe efekti i shkurtimit të pagave të këshillit të ministrave që është rreth 174 milion lekë. Përtej përkeqësimit të treguesve në buxhet ministria e ekonomisë dhe financave parashikon përgjysmim të rritjes ekonomike në vend nga 4.1 % që parashikohej më parë në 2%.
Ndërsa theksohet se mbeten ende i paqartë impakti real në sektorët e turizmit, transportit, tregtisë ,ngadalësimin e përkohshëm të investimeve totale dhe eksporteve. Nëse do të kishte një përkeqësim të përhapjes së Koronavirusit në vend efektet ekonomike do të ishin edhe më të mëdha. Vetëm në muajin e parë impakti negative në ekonomi është vlerësuar të jetë rreth 70 mln dollar./abcnews.al