Këta janë disa prej qytetarëve që po shfrytëzojnë minutat e fundit para se ora të shënojë 18:00 në Tiranë, çka nënkupton dhe ndalimin e lëvizjes
Dita e dytë e ndalimit të lëvizjes në këmbë pas këtij orari duket se ka sjellë më shumë ndërgjegjësim, nisur edhe nga gjobat që parashikohen në Aktin Normativ.
Kamera e ABC News bëri një shëtitje në disa prej rrugëve të kryeqytetit gjatë orëve të mbrëmjes dhe siç vihet re dominon heshtja.
Patrullat e Policisë nuk mungojnë nëpër rrugë, ku shpesh këshillojnë edhe drejtuesit e automjeteve për masat e reja të lëvizjeve.
Tek 21 dhjetori shohim tek-tuk ndonjë automjet apo dhe urbanin e Kombinatit që shërben për personelin mjekësor.
Në kuadër të masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, qeveria miratoi Aktin Normativ që ndalon lëvizjen e këmbësorëve, të personave me biçikletë apo ciklomotor pas orës 18:00 dhe nëse thyejnë rregullat ndëshkohen me gjoba nga 10 deri në 20 mijë lekë të reja./abcnews.al