Kryeministri Edi Rama ka mbështetur vendimin e homologut të tij Albin Kurtit për heqjen e taksës. Shefi i qeverisë shqiptare thekson se heqja e taksës do të bëjë që Albini të marrë zyrtarisht detyrën si kryministër.
Përmes një postimi në Twitter Rama akuzoi liderin e AAK-së në Kosovë, Ramush Haradinaj se ka nisur baltosjen e Albin Kurtit, duke theksuar se taksa e vendosur ndaj produkteve serbe shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës
“Me paturpësi Ramushi ka nisur baltosjen e Albin Kurtit! Albini mund të jetë gjithçka po kurrë nuk është shërbëtor i Serbisë! Uroj të mos tutet prej sulmeve të ulëta për heqjen e taksës që shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës!
Kurrë nuk është dëgjuar një idiotësi më e madhe se sa predikimi që taksa do sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe asgjë s’i ka bërë më shumë dëm Kosovës, se sa ajo taksë e kthyer nga një thirrje për vëmendje ndaj shkeljeve të CEFTA-s nga Serbia, në një litar në fytin e Kosovës!
Albin Kurti është në rrugën e duhur! Heqja e taksës do jetë dita e parë e tij si kryeministër në zyrë, jo më si lider opozite në zyrën e kryeministrit! Do t’i duhet të përballet me etiketën e “tradhëtarit” po ani, ajo etiketë i dallon udhëheqësit e paqes nga statujat e luftës.”, shkruan Rama./abcnews.al