Kryeministri Albin Kurti ka shprehur rezerva për marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për hekurudhat dhe autostradën.
Gjatë qëndrimit të tij në Mynih për Konferencën e Sigurisë, Kurti ka pohuar se pavarësisht se marrëveshjet janë ndërmjetësuar nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ai nuk ka qenë pjesëmarrës në negociata si Kryeministër.
Për palën kosovare, marrëveshjet për autostradën dhe hekurudhat i kanë nënshkruar Xhemë Veseli, drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës Rrugore. Kurse nga pala serbe, të dy marrëveshjet i ka nënshkruar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
I pyetur se nëse kritikat e shprehura nga ai lidhur me marrëveshjet për autostrada dhe hekurudha kanë bërë që ambasadori Grenell të mos e takojë atë në Mynih, kryeministri Kurti thotë se komunikimi me amerikanët është i mirë dhe se gjatë qëndrimit në Mynih nuk ka qenë në plan që të takohet me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë.
Ambasadori Grenell më herët ka ndërmjetësuar po ashtu edhe marrëveshjen për hapjen e linjës ajrore Prishtinë- Beograd.
Së fundmi, ambasadori Amerikan ka kërkuar nga qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti që të heqë taksën 100 për qind ndaj produkteve që vijnë nga Serbia, pasi kjo masë shihet si pengesa kryesore për rinisjen e dialogut me Serbinë. Kurti është zotuar se taksën do ta zëvendësojë me reciprocitet, por Grenell ka kërkuar që taksa të hiqet pa u vendosur reciprociteti./abcnews.al