Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka konfirmuar se do të takojë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Konferencën për Siguri që do të mbahet në Munih të Gjermanisë, prej 14 – 16 shkurt.
Në një intervistë për mediat vendase Vuçiç ka bërë me dije se ato do të marrin pjesë në një panel të përbashkët.
“Albin Kurti do të jetë i pranishëm në panelin e përbashkët në Mynih, ku edhe unë do të jem i pranishëm, kështu do të shohim se si do të jetë atmosfera. Nuk mendoj se do të jetë e hapur për publikun, por më duket se do të jetë një mundësi e mirë për të vlerësuar drejtimin në të cilin mund të fillojnë bisedimet. Kjo është arsyeja pse ky qëndrim në Munih ka një rëndësi të madhe për ne, sepse do të vlerësojmë se cilët janë hapat e mëtejshëm të Qeverisë së Prishtinës, cilët janë hapat e gjermanëve, amerikanëve dhe të gjithë të tjerëve në bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Vuçiç.
Ndër të tjera ai ka theksuar se gjatë qëndrimit të tij dyditor në Munih të Gjermanisë në kuadër të Konferencës për Sigurinë, pret të takohet edhe me Përfaqësuesin Special të Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell./abcnews.al