Është identifikuar grabitësi, i cili gjatë mbrëmjes së djeshme në lagjen Nr. 13 në zonën e Plazhit në qytetin bregdetar të Durrësit, plagosi pronarin e një shtëpie ku kishte hyrë për të vjedhur.
Burime për ABC News raportojnë se 27-vjeçari dyshohet të jetë edhe autori i grabitjes së pikës së kredidhënies, Kredo.al, ngjarje kjo e ndodhur tre ditë më parë.
Mbrëmjen e djeshme Astrit Thaçi hyri i armatosur në banesën e Rexhep Terziut rreth orës 20:30. Por i zoti i shtëpisë e ka diktuar grabitësin dhe është përpjekur ta ndalojë duke u përleshur me të. Në këtë moment 27-vjeçari ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në këmbë Rexhep Terziun i cili u dërgua në spital jashtë rreziku për jetën.
Ndërkohë ka dyshime se i njëjti persona tre ditë më parë hyri dhe grabiti një pikë dhënie kredie e Kredo.al po në qytetin e Durrësit. Ky person i maskuar me shall dhe me kapele, me pistoletë në dorë, pasi kërcënoi punonjësin arriti që të merrte 100 mijë lekë.
Siç raporton gazetari i ABC News Leonidha Musaj 100 m më tej vendit të ngjarjes është gjetur makina e autorit tip Ford ku gjatë kontrollit të ushtruar nga policia brenda mjetit është gjetur një sasi lënde narkotike çka tregon se ai është përdorues.
27 vjeçari ka qenë i dënuar më parë në shtetin Italian por edhe në Shqipëri./abcnews.al