Drejtori sportiv i Barcelonës, Eric Abidel akuzoi lojtarët për faktin që nuk e donin më Ernesto Valverden, ish-trajnerin e ekipit katalanas. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Leo Messit. Kapiteni i kërkoi ish-shokut të skuadrës të përqendrohet në punën e tij.
“Njerëzit në drejtorinë sportive duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe mbi të gjitha të marrin përsipër vendimet që marrin. Në fund, kur flitet për lojtarët, duhet të jepen emra. Nëse nuk ndodh, atëherë ndotemi të gjithë dhe ushqejmë komente të tilla si ato që janë bërë dhe që nuk janë të vërteta“, komentoi Messi.
LEXO EDHE: Tërmet te Barcelona, Messi zgjon presidentin dhe shkarkimi është gati
Rreth kësaj situate ka folur edhe trajneri i Barcelonës. Quique Setien jep mendimin e tij në konferencën për shtyp përpara ndeshjes çerekfinale të Kupës së Mbretit ndaj Athletic Bilbao, sfidë që luhet nesër në mbrëmje (21:00).
“Këto janë gjëra të rëndësishme, por nuk më përkasin mua. Kemi diskutuar vetëm një minutë në lidhje me këtë temë. Detyra jonë është të përqendrohemi në fushën e blertë, kjo është e vetmja gjë që më shqetëson. Nuk përfshihem në situata që nuk i kontrolloj dot.
Messi? Probleme ka në çdo klub të botës, unë mendoj vetëm t’i jap lojtarëve të mi udhëzimet e duhura për të fituar. Leo ka eksperiencën e duhur për të vendosur se çfarë bën. Nuk dua të futem në jetën e tij apo të lojtarëve të tjerë. Unë dua vetëm t’i bëj lojtarët e lumtur, pjesa tjetër nuk më intereson“, përfundon Setien. /abcnews.al