Banesa, ku u arrestua shtetasi grek, i dyshuar si vrasës me pagesë i Devi Kasmit, ndodhet në Yzberisht, në periferi të Tiranës. ABC News sjell pamje të kësaj vile, brenda së cilës u zbulua një arsenal armësh të llojeve të ndryshme dhe eksplozivi.
E fshehur mirë ndërmjet kodrave të ullinjve dhe larg banesave të tjera, ishte vila në pronësi të Aurel Hoxhallarit në periferi të kryeqytetit afër Yzberishtit.
Arsenali i armëve, i denjë për betejë të vërtetë, u gjet në dhomën e gjumit të Hoxhallarit, si edhe në një pjesë të përshtatur ne tavanin e vilës një katëshe.
Në të njëjtën kohë ka qënduar i fshehur për më shumë se një javë brenda banesës luksoze edhe vrasësi me pagesë i ardhur nga Greqia, Efthymiou Efthymious. Ky i fundit ekzekutoi Devi Kasmin të hënë e kësaj jave.
Por si u zbulua killeri që kishte shërbyer për disa vitë në forcat speciale të Greqisë?
Ishte pikërisht përshkrimi i të prangosurit të parë për vrasjen e Kasmit, Mario Meshini, që çoi në zbulimin e vrasësit me pagesë me origjinë greke.
Meshini ka thënë për grupin hetimor se vrasësi ishte me trup të gjatë, i hollë dhe me mjekër. Këto të dhëna sipas hetuesve përputhen me pamjen e komandos greke, i cili u gjet i fshehur në bodrumin e një vile në periferi të kryeqytetit. Gjithashtu, Elton Halipaj, Malvin Dinellari dhe Elton Hoxhallari, u prangosën në tentativë për t’u larguar nga Tirana. Policia thekson se vijon të jetë në liri organizatori i vrasjes së Kasmit, Aurel Hoxhallari.
36-vjeçari rezulton që të jetë një person me precedent të theksuar penalë, pasi është arrestuar e liruar 4 herë nga drejtësia. Fillimisht ishte ndaluar nga efektivët e komisariatit nr. 6 për plagosje me armë zjarri, por autorësinë e krimit ne ate rast e mori përsipër shoku i tij.
Në vitin 2014, Hoxhallari u arrestua në Kavajë për armëmbajtje pa leje, pasi në automjetin e tij iu gjet një pistoletë ‘Glock’, por u dënua nga gjykata me pak muaj burg. Herën e tretë, emri i Aurel Hoxhallari, i ndryshur në Altin Hoxhallari do të dilte në skenë një vit më pas si porositës i atentatit të Pajtim Serianit në rrugën e “Kavajës” në Tiranë, i cili mbeti i plagosur në këtë ngjarje.
Hoxhallari u arrestua, por Gjykata e Krimeve të Rënda i dha lirinë, pasi nuk u provuan akuzat.
Historia përsëritet në 2018. Uniformat blu dhe prokuroria pohojnë se organizatori dhe porositësi i vrasjes së Devi Kasmit në 29 Janar në kryeqytet është Aurel Hoxhallari, i cili dyshohet se mund të jetë larguar nga Shqipëria./abcnews.al