Televizioni shtetëror italian RAI3 i është kundërpërgjigjur Kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili një ditë më parë e quajti investigimin e RAI3 për kanabisin “turp gazetaresk”.
Në edicionin qendror të lajmeve TG3, spikerja anoncon kronikën: “Folëm për BREXIT, por ka edhe nga ata që duan të hyjnë në Europë, Shqipëria. BE i kërkon të bëjë hapa përpara në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në udhëtimin tonë atje ne kemi folur për një rritje masive të plantacioneve të marijuanës, numra që policia shqiptare i mohon, por ndryshe nga e kaluara nuk ka nxjerrë të dhëna zyrtare. Ne, në bazë të burimeve tona, i konfirmojmë shifrat qe kemi publikuar; rritjen me 1200% të sasisë së kanabisit të mbjedhë gjatë këtij viti në Shqipëri”.
RAI3 përveç se sfidon Ramën, duke i kërkuar të nxjerr publikisht shifrat për kultivimin e kanabisit gjatë vitit të fundit, i kujton situatën me median në vend.
Gazetari Valerio Cataldi, gjatë raportimit ndalet fillimisht në procesin e Vetingut, një kërkesë e Bashkimit Evropian që sipas ministres së Drejtësisë ka nxjerrë nga sistemi gjysmën e prokurorëve dhe gjykatësve të kaluar në filtër. Më pas ai ndalet në lirinë e e medias që gjithashtu kërkohet nga Brukseli.
“Mediat janë të koncentruara në duart e pak pronarëve të mëdhenj. 4 familje kontrollojnë 90% të tregut dhe kanë raporte direkte me politikën. “Propaganda që prodhon politikë, politika që prodhon pushtet, pushteti ka fondet publike që u jepen kompanive të ndërtimit të cilat financojnë mediat dhe mediat prodhojnë propagandë dhe rrethi vazhdon” – thotë Dorian Matlia i fondacionit “Respublika” në kronikën e televizonit italian.
Komunikimi publik në Shqipëri kalon nëpërmjet një kanali të vetëm televiziv që quhet “Edi Rama TV” dhe që është emri i kryeministrit. Gazetarët nuk kanë asnjë mundësi për të marrë informacion nga qeveria. Jemi ndoshta rast i vetëm në botë, në Eurpë me siguri” – thotë Armand Shkullaku.
“Hyrja në Bashkimin Europian këtu në Shqipëri nuk do të thotë vetëm nënshkrim i traktateve ekonomike dhe financiare, por duhet t’i takojë edhe respektimit të të drejtëve themelore duke filluar nga liria e medias dhe e drejta e qytetarëve për të qenë të informuar” – thotë Raffaele Lorusso, sekretar i FNSI.
*Ndiqni kronikën e plotë TG3