Me opozitën rreth foltores së Kuvendit, kryetari i Kuvendit ka vijuar me të gjitha pikat e rendit të ditës dhe më pas edhe me votimin e tyre. Me 74 vota u miratua projektligji i lidhur me ndërtimin e aeroportit të Vlorës, ndërsa u rrëzuan në bllok edhe listat e dyta me anëtare jo gjyqtarë e jo prokurorë për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe atë të Prokurorisë.
Parlamenti i Shqipërisë miratoi projektligjin për përcaktimin e procedurës së veçantë për kontratën e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së aeroportit të Vlorës.
Në kushte jo normale të zhvillimit të parlamentit, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi pasi ndërpreu seancën tre herë në pritje të zhbllokimit të foltores nga opozita, vijoi punimet në bazë të rendit të ditës.
Me 74 vota e rrëzoi parlamenti nismën e deputetes demokrate, Albana Vokshi, për përballimin nga buxheti i shtetit të librave shkollorë për fëmijët deri në moshën 16-vjeçare.
Një tjetër votim i rëndësishëm i kësaj seance ishte ajo për listat e kandidatëve për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe atij të Prokurorisë, të cilat sipas ligjit kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 2/3 për miratim. Vetëm 73 ishin votat pro listave, në një prezencë prej 75 deputetësh të mazhorancës dhe PDIU-së, të cilët morën pjesë në votim./abcnews.al