Tirana do të ketë një përsëritje të sfidës së vjetshme ndaj Kukësit në Kupën e Shqipërisë. Këtë herë të paktën nuk do të ketë dyshime, ashtu siç ndodhi sezonin e kaluar, ndërsa kryeqytetasit duan të shkaktojnë një të papritur.
Është mbajtësja në fuqi e trofeut.
Tirana shkon në ndeshjen ndaj Kukësit si fituese e Kupës së Shqipërisë, diçka që u përfol shumë pikërisht me kualifikimin e vjetshëm ndaj Kukësit.
Në gusht, kryeqytetasit e drejtuar nga trajneri i ri, Ze Maria, triumfuan bindshëm ndaj kuksianëve në finalen e Superkupës, ndërsa tani janë sërish përballë në Kupë.
Trajneri brazilian, vlerëson ndryshimin që kanë dy skuadrat në krahasim me duelin e parë të sezonit, aq më tepër me dëmtimin e Dokës dhe faktin që lojtarët e afruar në janar nuk janë gati.
Ze Maria: “Ka një diferencë të madhe mes ndeshjes së parë që kemi luajtur ndaj Kukësit në Superkupë, dhe kësaj ndeshjeje që do të luajmë tani. Kjo sepse të dyja skuadrat kanë shumë ndryshime përsa i përket lojtarëve. Po ashtu, Kukësi ka ndryshuar edhe trajnerin dhe mënyrën e lojës. Besoj se të dy ekipet do të jenë të përgatitur më mirë, ndaj shpresoj të jetë ndeshje me nivel të lartë”.
Çfarë mendimi ka Ze Maria për këtë kundërshtar?
Ze Maria: “Tirana duhet për forcë zakoni ta respektojë Kukësin, që fitoi kampionatin sezonin e kaluar dhe po lufton në nivele të larta edhe këtë vit. Pra, janë një shkallë mbi Tiranën”.
Tirana është në Kategorinë e Parë, por a i kushtëzon ky fakt objektivat për Ze Marinë?
Ze Maria: “Ne do të luftojmë për dy objektivat tanë, pra fitoren e Kupës dhe rikthimin në Superligë. Siç them gjithnjë, ne jemi Tirana. Nëse luajmë ndaj ekipeve të Superligës apo të kategorisë së parë, për ne është njësoj. Mentaliteti ynë është gjithnjë për të fituar ndeshjet, pavarësisht se kundër kujt luajmë. Djemtë e dinë dhe do të përpiqemi të imponojmë mënyrën tonë të lojës”.
Kukësi, ndërkaq, ka mbajtur heshtje shtypi dhe vetëm është stërvitur.
Trajneri Pakult ka punuar me skuadrën për të qenë gati për një duel të vështirë, por optimizmi është i madh.
Jo më kot kampionët fituan bindshëm 3-1 në fushën e Vllaznisë në Superligë, ndërsa u paraqitën shkëlqyeshëm në fazën përgatitore në Turqi./abcnews.al