Rruga vazhdon malore, por disa hapa i ka bërë. Vllaznia arriti fitoren e dytë në tri ndeshjet e fundit në Superligën shqiptare, duke treguar shenja jete, e këtë herë duke mundur Tiranën.
Përveç tri pikëve, përballja ka edhe vlerën tjetër morale e psikologjike, si fitorja e derbit më të vjetër të futbollit shqiptar.
Edhe pse Tirana e pati një rast të pastër në pjesën e parë, sfida ishte më shumë në anën e vendasve, ndonëse përkrahja për ta në “Loro Boriçi” vazhdon të mos jetë e madhe.
Murataj kaloi të vetët në epërsi me një gol shumë të bukur me thembër, i cili kaloi edhe kontrollin e VAR-it.
Edhe pas pushimit, refreni ishte I njëjti, me Vllazninë në kërkim të golit të dytë, dhe me Tiranën që reagonte, por më rrallë.
Trajneri hungarez, Çaba Laslo, duket se ka ardhur me këmbën e mbarë, pasi me të në stol janë mundur dy rivalë të rëndësishëm, fillimisht Dinamo e tani rekordmenët e titujve.
Vetëm Egnatia ka qenë më e fortë se skuadra e tij, por kjo mund të kuptohet e të pranohet.
Tirana mbeti në kuotën e 11 pikëve, dhe do ta mbajë vendin e katërt edhe pas javës së 8-të të Superligës, ndërsa shkodranët kanë 8 pikë, baraz me pozicionin e parafundit.
Duket qartë pra se shumica e ekipeve janë pranë e pranë, dhe mund të pretendojnë njëlloj edhe për kupat e Europës, edhe mund të rrezikohen për rënien nga kategoria./abcnews.al


