Mungesa e investimeve apo shkarjet e ditëve të sotme kanë bërë që disa rrugë të dëmtohen rëndë aq sa kanë vështiresuar jetën e banorëve. ABC News sjell panoramën e tre prej tyre në Berat, Vlorë dhe Laç.
Përmes kësaj rruge qarkullojnë çdo ditë banorë të Beratit dhe të Fierit. Por pamjet që afron tregojnë për një rrugë skandaloze.
E tërë gjatësia është e dëmtuar. Por shtatë kilometra nga fshati Kutalli i Beratit, në Velmisht të Fierit janë të pakalueshme.
“Janë rreth 15 mijë banorë të kësaj zone që prodhojnë perimet më të mira në vend, i tregëtojnë drejt Kosovës , Maqedonisë dhe tregjeve europiane, por mjetet që vijnë për të marr mallin në fshat qarkullojnë në një rrugë që është në gjendje të turpshme”.
Sëbashku, fshatarët i kanë nisur një letër kryeministrit Rama. Mirëmbajtja e rrugës bëhet nga një firme gjirokastrite, por që askush nuk e sheh në terren.
Vlorë – Rradhime në zonën e Ujit të Ftohtë vazhdon të qarkullohet vetëm në njërin krah të rrugës. Shkarjet e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë. Barrierat mbrojtëse mungojnë.
Kurse këto pamje vijnë nga rruga e fshatit Fushë Mamurras. 300 nxënës në shkollën 9-vjeçare çdo ditë kalojnë ne gropat me ujë.
Banorët thonë se këtu bëhen premtime sa herë ka fushata. Në realitet 6 mijë banorët lëvizin në rrugën e tyre, e cila s’ka parë investim prej 27 vitesh./abcnews.al