12 persona janë arrestuar dhe 19 të tjerë janë proceduar penalisht pas akteve të dhunës të regjistruara gjatë protestës të shtunën në Tiranë.
Sipas Policisë, protestuesit kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e rendit me sende të forta, lëndë piroteknike dhe bomba molotov, si dhe kanë bllokuar qarkullimin dhe dëmtuar pronën publike. Si pasojë e incidenteve, janë dëmtuar 17 punonjës policie.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale që lidhen me organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime të paligjshme, prishjen e qetësisë publike, kundërshtimin e punonjësve të Policisë, shkeljen e rregullave për lëndët plasëse dhe djegëse, pengimin e qarkullimit, shkatërrimin e pronës me zjarr, si dhe mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve shpërthyese dhe municionit.


