Sulmet ajrore të ushtrisë në Myanmar kanë shkaktuar dhjetëra viktima dhe të plagosur, pasi objektiv i bombardimeve kanë qenë një ceremoni dasme, një shkollë dhe zona të banuara në disa rajone të vendit.
Ngjarja më e rëndë u regjistrua të shtunën pasdite në fshatin Moe Bye, në shtetin jugor Shan, ku një sulm ajror goditi një ambient ku po zhvillohej një dasmë.
Sipas ekipeve të shpëtimit, të paktën 21 persona kanë humbur jetën dhe 35 të tjerë janë plagosur.
Ndërkohë, një tjetër sulm ajror ishte regjistruar të enjten në fshatin In Yon, në rajonin Magway të Myanmarit qendror. Sipas Qeverisë së Unitetit Kombëtar (NUG), të paktën 20 civilë u vranë, mes tyre nxënës, murgj të rinj dhe mësues, pasi një shkollë u godit nga bombardimet.
Sulme të tjera u raportuan edhe të shtunën në mbrëmje në qytetin Mrauk-U, në shtetin perëndimor Rakhine. Rreth orës 20:00 sipas kohës lokale, bombardimet goditën një zonë të banuar, duke shkaktuar, sipas raportimeve, më shumë se 10 viktima dhe rreth 20 të plagosur.
Kjo zonë kontrollohet nga Ushtria Arakane (AA), një prej forcave të armatosura etnike që luftojnë kundër regjimit ushtarak të vendit.
Deri më tani, qeveria e drejtuar nga ushtria nuk ka bërë asnjë koment lidhur me sulmet e fundit.
Bombardimet vijnë në vazhdën e konfliktit të armatosur që ka përfshirë Myanmarin që prej vitit 2021, kur ushtria rrëzoi përmes një grushti shteti qeverinë civile të zgjedhur, të drejtuar nga Aung San Suu Kyi.


