Ka katër ndeshje që nuk humbet, por nuk është e lumtur.
Vllaznia, skuadra më e vjetër e futbollit shqiptar, vazhdon të mendojë për mbijetesën, në një kohë që pretendimet ishin për të synuar titullin e parë kampion pas 26 vitesh.
Në sfidën e javës së 13-të të Superligës ndaj Laçit nuk u arrit fitorja, edhe pse u luajt në stadiumin “Loro Boriçi”.
Kurbinasit u mbajtën në barazim pa gola, rezultat që nuk kënaqi asnjë palë, por gjithsesi mund të quhet I mirë pasi u arrit jashtë fushe.
Ndeshja ishte e fortë, dhe në terren nuk u kuptua diferenca në renditje e shkodranëve me laçianët.
Në total, u goditën 4 shtylla, dy nga Vllaznia e dy nga miqtë, por gola nuk u shënuan.
Po ashtu, pati edhe raste të tjera, që ishin edhe për njërën edhe për tjetrën palë.
Për fat të keq, e gjitha kjo u ndoq nga një numër I vogël tifozësh, diçka që shqetëson shumë aq më tepër në Shkodër, qytet ku dashuria për futbollin është e madhe.
Vllaznia duket më larg fundit, ndonëse barazimi në shtëpi me një ekip më poshtë në renditje nuk ishte aspak rezultat pozitiv.
Shkodranët kanë 16 pikë në vendin e gjashtë, pranë zonës së Europës, por edhe vendeve që të zbresin nga kategoria.
Laçi, ndërkaq, është në vend të fundit, me 12 pikë, edhe pse diferenca mes zonën që të shpëton është tepër e vogël.


