Pas përfundimit të Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se Partia Socialiste mbështet përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, duke theksuar se votimi elektronik dhe nxjerrja e shpejtë e rezultateve janë hapa të rëndësishëm për përmirësimin e procesit zgjedhor në vend.
Ai e cilësoi të nxituar qëndrimin e Berishës, duke kujtuar se PD ka dhënë dakordësinë për përdorimin e votimit elektronik në disa procese zgjedhore, pa ngritur, sipas tij, pretendime për sigurinë dhe cilësinë e këtij sistemi.
“PS e mbështet përdorimin e teknologjisë, besoj se kanë mjaftuar disa palë zgjedhje qofshin vendore apo qendrore për të konfirmuar se dalja e rezultatit menjëherë është gjëra e duhur. E kam thënë edhe kryeministri e ka thënë se duhet të gjejmë zgjidhje për t’i dhënë fund asaj situatë pas përfundimit të zgjedhjeve ku duhen ditë të tëra për numërim. Përgjigja e zotërisë që drejton sot PD është e nxituar. Sa kohë që PD ka dhënë dakordësi në disa palë zgjedhje dhe nuk ka pasur asnjë ankesë për sigurinë, cilësinë e votimit elektronik.
Në 2025 së fundmi ka pasur votim elektronik, në Elbasan në 2023. Zoti Berisha ka mendjen e vet dhe nuk ia mbush do njeri. Unë po ju them mendimin tim. Vendimmarrjet në KQZ për fat të keq janë të natyre politike. Por gjetja e një zgjidhje për t’i dhënë fund numërimit që zgjat me ditë të tëra duhet parë, dhe pjesa me rëndësi është pjesa që lidhet me depolitizimin e komisioneve zgjedhore.
Unë shpresoj shumë që reforma zgjedhore të mos jetë e njëanshme. Është mirë që për që jemi dakord ta përfundojmë në një ditë. Detyrime e Shqipërisë për rrugën europiane nuk janë vetëm të PS, është detyrim i Kuvendit. Sa i përket agjendës evropiane ne duhet të kemi dakordësi. Në ligjin që miratuam të enjten e kaluar, kemi përcaktuar që Rrogozhina do ketë anëtarët e vet të Këshillit. Nëse Këshilli Bashkiak i Kavajës do ketë 41, diku te 15 do jenë përfaqësues të Rrogozhinës. Pra na duhet që Kodin Zgjedhor ta shohim sa më shpejt, sepse në javët në vijim janë afatet ku Presidenti do dekretojë datën”, tha ai.


