Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar një propozim të ri për zgjidhjen e ngërçit politik rreth zgjedhjes së presidentit, duke iu referuar edhe qëndrimit të PDK-së dhe kryetarit të saj, Bedri Hamza.
Kurti tha se, meqë nuk po arrijnë të takojnë Hamzën, ai duhet të dalë publikisht dhe të japë një zotim për pjesëmarrjen e grupit parlamentar të PDK-së në votimin për president.
Sipas tij, zgjidhja e propozuar do të ishte që fillimisht të votohej projektligji për Gjykatën Speciale dhe më pas të procedohej menjëherë me votimin për president.
“Propozimi ynë më i ri është: Meqë nuk po arrijmë ta takojmë kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, le të dalë publikisht dhe të zotohet që i gjithë grupi parlamentar i PDK-së merr pjesë me votë në zgjedhjen për president dhe, pas zotimit të tyre, menjëherë votojmë leximin e dytë. Nëse ata mendojnë se nuk përbën problem mosrespektimi i afatit 72-orësh. Pra, ne votojmë projektligjin e Gjykatës Speciale paraprakisht dhe menjëherë votimi për president, Glauk ose Feride.”


