Pushimet e Emmanuel Macron në rivierën franceze, ku presidenti është fotografuar duke përdorur një Jet Ski, kanë shkaktuar polemika të forta në radhët e opozitës dhe kanë tërhequr vëmendjen e mediave franceze.
Fotografitë janë publikuar nga revista Paris Match dhe tregojnë Macron gjatë qëndrimit në Fort Brégançon, rezidenca verore e presidentit. Revista i ka vendosur imazhet në kopertinë, të shoqëruara me titullin “Vera e fundit në krye”, që lidhet me përfundimin e mandatit të dytë dhe të fundit të Macron në Pallatin Élysée vitin e ardhshëm.
Përveç pamjeve me Jet Ski, publikimi përfshin edhe fotografi të presidentit duke u marrë me sporte të tjera, mes tyre surf me pedale.
Paris Match raporton se qëndrimi në rezidencën presidenciale nuk është vetëm për pushime. Atje është ngritur një zyrë, ndërsa Macron vazhdon të kryejë kontakte telefonike gjatë ditëve të qëndrimit në Fort Brégançon.
Megjithatë, fotografitë kanë sjellë kritika nga përfaqësues të opozitës, të cilët e kanë akuzuar presidentin se po shijon pushimet në një moment të vështirë për Francën.
Marine Tondelier, udhëheqësja e të Gjelbërve, deklaroi se francezët po përballen me një “verë zbulese”, ndërsa Macron po e shfrytëzon këtë periudhë për promovim personal.
Edhe Olivier Faure, lideri socialist, e kundërshtoi mënyrën e paraqitjes së presidentit, duke thënë se këto imazhe japin një sinjal të gabuar në një kohë kur vendi po përballet me temperatura të larta dhe probleme të tjera.
“Gjatë një vale të nxehti, ndërsa Franca po digjet dhe kur shumë francezë nuk kanë mundësi të shkojnë me pushime, presidenti po argëtohet në një motor uji në Bregançon”, deklaroi Faure.
Reagime pati edhe nga senatori komunist Pierre Ouzoulias, i cili i konsideroi fotografitë “të papërshtatshme”. Sipas tij, Macron duhej të gjendej pranë ekipeve të emergjencave dhe zjarrfikësve në zonat e goditura nga zjarret.
Ndërkohë, Paris Match e ka cilësuar qëndrimin e Macron në Fort Brégançon si një periudhë pushimesh të “fokusuara në punë”. Revista thekson se, përveç angazhimeve telefonike, programi i presidentit përfshin edhe aktivitete sportive, si boksi dhe vrapimi. / abcnews.al /


