Cristiano Ronaldo i është rikthyer menjëherë angazhimeve profesionale, vetëm tre ditë pasi kurorëzoi martesën me Georgina Rodríguez në një ceremoni tejet private në Cascais të Portugalisë.
Futbollisti 41-vjeçar është shfaqur sërish në fushën e stërvitjes me Al-Nassr, duke lënë pas ditët e para të muajit të mjaltit për t’iu përkushtuar futbollit. “Back” – “U riktheva”, shkroi Ronaldo krahas disa fotografive nga stërvitja.

Megjithatë, përveç rikthimit në fushë, vëmendjen e mori edhe një detaj tjetër: ndryshimi i look-ut. Ronaldo ka hequr dorë për momentin nga flokët e tij të errët, duke shfaqur një tonalitet dukshëm më të çelët, me reflektime në nuanca të kuqërremta dhe bakri. Ai ka ruajtur modelin e tij karakteristik, me anët e shkurtra dhe pjesën e sipërme më të gjatë.

Edhe Al-Nassr ka publikuar pamje nga rikthimi i kapitenit, i cili është parë së bashku me skuadrën dhe trajnerin e ri Ange Postecoglou.
Ndërkohë, dalëngadalë po zbulohen edhe detaje të reja nga martesa e shumëpërfolur e Ronaldos me Georginën. Çifti u martua më 11 gusht, në orën 13:30, në Cascais, në një ceremoni civile dhe private. Në dasmë ishin të pranishëm edhe pesë fëmijët e çiftit, ndërsa katër persona shërbyen si dëshmitarë.
Ronaldo dhe Georgina kishin arritur ta mbanin gjithçka sekret deri në momentin e fundit, duke shmangur publikimin e çdo detaji mbi vendin dhe ceremoninë. Ata konfirmuan martesën vetëm përmes një fotografie ku shfaqnin duart e tyre të bashkuara dhe unazat e martesës, të shoqëruar me mesazhin e Ronaldos: “C❤️G”.
Edhe pse Georgina është rikthyer në rrjetet sociale pas martesës, ajo ende nuk ka zbuluar pamje nga fustani i saj i nusërisë. Në një prej postimeve të fundit, ajo shfaqet me unazën spektakolare të fejesës, e cila raportohet të ketë një diamant me vlerë të jashtëzakonshme.
Pas ceremonisë, çifti u fotografua në aeroport teksa po udhëtonte drejt Riadit me avionin e tyre privat. Ndërsa Georgina ka rifilluar aktivitetin në rrjetet sociale, Ronaldo duket se nuk ka humbur aspak kohë dhe tashmë është rikthyer në ritmin e futbollit. / abcnews.al /


