Një atentat i dyfishtë ka shkaktuar tragjedi në qytetin Bengazi të Libisë. Burimet zyrtare flasin për të paktën 27 të vdekur dhe 32 të plagosur. Mes viktimave gjenden edhe eksponentë të lartë të lokalitetit në fjalë. Atentati është kryer me dy autobomba, dhe ka ndodhur në zonën al-Salmani, pikërisht në momentin kur besimtarët po dilnin nga një xhami pas përfundimit të lutjeve.
Në gjithë zonën ka nisur një operacion i gjerë i forcave të sigurisë në kërkim të celulës terroriste, e cila mund të jetë pjesë e “Këshillit Shura të Revolucionit të Bengazit”, një koalicion militar islamik me grupime terroriste.
Autoritetet e Libisë njoftojnë se fillimisht bilanci ishte 7 të vdekur, por u përkeqësua pasi shumë të plagosur ndërruan jetë në spital. Ndërkohë, mes të plagosurve është edhe Almahdu Al Falah, kreu i departamentit të inteligjencës dhe sigurisë shtetërore. Kurse shefi I departamentit të unitetit investigativ është mes viktimave. Gjithashtu edhe disa zyrtarë të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Qyteti i Bengazit është prej tre vitesh kryeqendër e një konflikti të përgjakshëm mes forcave besnike të gjeneralit Khalifa Haftar dhe militantëve islamikë. Ushtria kombëtare e Libisë që mbështet Haftar kohëve të fundit ka konfirmuar se ka mposhtur disa herë militantët dhe se ka nën kontroll zonën portuale.
Ndërkaq, luftimet në Bengazi kanë filluar që prej konfliktit të përgjakshëm që nisi në të gjithë vendin pas vrasjes në 2011 të liderit të atëhershëm Muamar Gadafi./abcnews.al