Sistemi ambicioz i mbrojtjes ajrore “Kupola e Artë”, i propozuar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mund t’i kushtojë Amerikës më shumë se 1.2 trilion dollarë gjatë dy dekadave të ardhshme, sipas një raporti të publikuar nga Zyra e Buxhetit e Kongresit (CBO).
Sipas raportit, vetëm pajisjet e nevojshme për këtë projekt gjigant do të arrijnë në shifra marramendëse, ndërsa rreth dy të tretat e kostos totale pritet të shkojnë për komponentin hapësinor të sistemit, përfshirë satelitë të armatosur dhe teknologji të avancuar të mbrojtjes.
Trump e prezantoi planin në fillim të mandatit të tij të dytë, duke u frymëzuar nga sistemi izraelit “Iron Dome”, por me synimin për të ndërtuar një mburojë shumë më të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse. Projekti synon të neutralizojë jo vetëm raketat me rreze të shkurtër, por edhe raketat balistike me rreze të gjatë, raketat hipersonike dhe dronët.
Nisma konsiderohet si një zgjerim masiv i kapaciteteve aktuale të mbrojtjes raketore të SHBA-së në nivel kombëtar.
Vitit të kaluar, Trump deklaroi se ishin siguruar tashmë 25 miliardë dollarë financim fillestar, ndërsa vlera totale e projektit ishte parashikuar të arrinte në rreth 175 miliardë dollarë. Megjithatë, raporti i fundit i CBO-së paraqet një panoramë shumë më të kushtueshme.
Raporti bazohet në urdhrin ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti amerikan për zhvillimin e sistemit të ri të mbrojtjes ajrore.


