Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Elbasan, ku u ndal te procesi i integrimit europian dhe sfidat që, sipas tij e presin vendin në vitet e ardhshme.
Gjatë fjalës së tij, të mbajtur në Asamblenë e PS, Rama u shpreh se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër realizimit të “ëndrrës historike” për anëtarësimin në Bashkimin Europian, ndërsa theksoi se 3-4 vitet e ardhshme do të jenë vendimtare dhe më të vështirat për vendin.
“Nuk kemi qenë kurrë kaq afër realizimit të një ëndrre historike. Hapat e fundit që kemi përpara janë edhe më të vështirat, sepse është faza kur duhet të përputhim të gjithë organizmin tonë shtetëror me atë të BE-së, jo vetëm në aspektin e ligjeve, por edhe të standardeve”, deklaroi Rama.
Kryeministri kërkoi më shumë vetëdije dhe përgjegjësi nga qytetarët dhe strukturat politike, duke theksuar se Partia Socialiste duhet të vijojë përpara pa humbur motivimin, pavarësisht kundërshtarëve politikë dhe presionit mediatik.
Ai akuzoi gjithashtu kundërshtarët dhe rrjetet sociale për shpërndarje të lajmeve të rreme dhe deformim të realitetit publik.
“Ka forca e faktorë politikë, mediatikë dhe socialë që prodhojnë e shpërndajnë në mënyrë marramendëse gënjeshtra, gjysmë të vërteta dhe akuza”, u shpreh Rama gjatë takimit në Elbasan.


