Nuk është më i Madhi, por padyshim një nga më emblematikët. Stadiumi “Anfild” në Liverpul të Anglisë është shtëpia e të kuqve vendas, gjashtë herë kampionë të Europës, po ashtu e Bitëllsave të dikurshëm, ndërsa njihet si një nga arenat më të frikshme të futbollit.
Mbi 61 000 tifozë do të presin sonte “mrekullinë” e radhës, nga ato që skuadra e madhe angleze I ka bërë shpesh në histori. Kush e harron sesi u rrëzua 4-0 Barcelona pasi fitoi 3-0 në “Kamp Nou”.
Po përmbysjen e pabesueshme ndaj Dortmundit në 2016 në Ligën e Europës, për të mos shkuar tepër larg në kohë, në vitin 1977 kur Liverpuli eliminoi po me përmbysje në fund kampionen e shquar të Francës, Sent Etien.
Tashmë, në “Anfild” do të vijë një tjetër kampione e Francës, që është njëkohësisht edhe e Europës, fituesja në fuqi e Championsit, Paris SG. Skuadra që ka fituar edhe Kupën Interkontinentale të FIFA-s, e drejtuar nga trajneri spektakolar Luis Enrike, fitoi 2-0 ndeshjen e parë çerekfinale në “Parkun e Princave”, e padyshim që cilësohet favorite për kualifikimin.
Gjithsesi, në “Anfild” nuk I dihet, edhe pse francezët ishin pushim në mesjavë dhe kanë bilanc pozitiv me rivalin. Mungesa e vetme e tyre është Fabian Ruiz, ndërsa yjet si Hakimi, Markinjos, Vitinja, Nevesh, Kvarackelia, Dembele apo Due priten titullarë.
Po Liverpuli?
Sezoni ka qenë negativ, titulli nuk u mbrojt dot dhe Champions mbetet objektivi i vetëm. Trajneri Arne Slot duket se nuk e zotëron siç duhet skuadrën dhe ky është minusi më i madh përballë kampionëve të Europës. Mungesa ka si portieri Alison, Kërtis Xhons, Bredli apo ndonjë tjetër, ndonëse të kuqtë kanë mjaftueshëm potencial për të provuar mrekullinë./abcnews.al


