TIRANË- Kryeministri Edi Rama u shpreh në podkastin e tij “Flasim” se për herë të parë, është vendosur një mekanizëm i ri për indeksimin e pagave çdo dy vite në sektorin publik, me qëllim korrigjimin e ndikimit të inflacionit për kategori si mësuesit, mjekët, infermierët, policët, ushtarakët dhe administratën.
Ai veçoi gjithashtu sistemin shëndetësor, ku nga muaji qershor parashikohen rritje të mëtejshme të pagave në disa shërbime kritike.
Mjekët e urgjencës do të trajtohen në të njëjtin nivel për rojet dhe ngarkesën shtesë të punës, ndërsa shtesat mujore do të arrijnë në 18 mijë lekë për mjekët dhe 12 mijë lekë për infermierët dhe teknikët.
Sipas kryeministrit, kjo është një politikë e qëndrueshme që reflekton rritjen ekonomike të vendit dhe synon të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetesës së familjeve shqiptare që jetojnë me punë të ndershme.
“Nga 1 janari i këtij viti kemi hyrë në një fazë të re të rritjes së pagave, me një drejtim të qartë: rritje reale e të ardhurave dhe mbrojtje e fuqisë blerëse. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për pagat nominale, të cilat, nga paga minimale në shkallë vendi, janë rritur në 500 euro, apo në mesataren e përgjithshme kanë arritur në rreth 10%, me një ritëm të qëndrueshëm si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.
Po këtu bëhet fjalë për çka na ka munguar si mekanizëm, jo sepse nuk e kemi ditur mungesën, por sepse s’kemi mundur ta adresojmë si pasojë e mungesës së mundësive të ekonomisë. Sot që ekonomia na ka dhënë mundësi të reja, ne kemi vendosur të indeksojmë pagat në sektorin publik çdo dy vite, me mekanizma shtesë për kategori të ndryshme, dhe kësisoj të korrigjojmë impaktin e inflacionit mbi pagën për mësuesit, për mjekët, infermierët, punonjësit e policisë, ushtarakët dhe administratën.
Një vëmendje e veçantë i është dhënë sistemit shëndetësor, ku nga qershori pagat do të rriten edhe në disa shërbime kritike. Mjekët e urgjencës do të trajtohen në të njëjtin nivel me të tjerët edhe për sa i përket rojeve, që janë një ngarkesë ekstra. Ndërkohë, shtesat konkrete do të arrijnë në 18 mijë lekë në muaj për mjekët dhe 12 mijë lekë për infermierët dhe teknikët, të shoqëruara me paga më të larta për turnet dhe një sistem rivlerësimi për përvojën.
Është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë aty ku përgjegjësia është më e lartë dhe ku sistemi kërkon mbështetje të përditshme. Është një politikë e qëndrueshme, sepse është një rritje ekonomike e qëndrueshme dhe janë mekanizma të nevojshëm, që kjo rritje ekonomike i ka bërë të mundshëm dhe, patjetër, edhe të matshëm në atë që është llogaria e çdo familjeje që jeton me punë të ndershme”, tha Rama./abcnews.al


