Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se do të propozojë Glauk Konjufcën për president të Kosovës.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, LVV tha deri te ky vendim erdhi pasi nuk u gjet një kandidat konsensual për këtë post.
“Në këto rrethana, Lëvizja Vetëvendosje, pas të gjitha përpjekjeve për të arritur marrëveshje, do të propozojë për kandidat për President ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit, deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës sonë, z. Glauk Konjufca”, thuhet në njoftimin e LVV-së.
LVV ftoi edhe një herë subjektet opozitare që të propozojnë një kandidat, ndërsa u ofroi ndihmë për mbledhjen e nënshkrimeve.
“Nëse u nevojiten nënshkrime plotësuese ne ju ndihmojmë nga grupi ynë parlamentar”, thekson LVV-ja, teksa u shpreh e bindur se “kjo sfidë është e kalueshme, zgjedhjet janë të evitueshme dhe është plotësisht e mundshme të gjejmë pajtueshmëri për të ecur përpara”.
Sipas LVV-së, në takimet që i kanë mbajtur me subjektet tjera politike parlamentare, nuk kanë marrë asnjë propozim konkret, teka shton se u refuzuan edhe ofertat e kësaj force politike me emra të caktuar.
“Subjekti ynë politik është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara. Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme”, thuhet ndër të tjera në njoftim.


