Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Stuhia e fuqishme dimërore godet verilindjen e SHBA-së, New York ndalon udhëtimet

schedule08:15 - 23 Shkurt, 2026

schedule 08:15 - 23 Shkurt, 2026

Një stuhi e fuqishme dimërore ka përfshirë verilindjen e Shteteve të Bashkuara, duke vënë rreth 59 milionë persona nën paralajmërime për mot ekstrem, ndërsa mijëra familje kanë mbetur pa energji elektrike dhe është vendosur ndalim i plotë i qarkullimit në New York City.

Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në disa shtete, përfshirë Massachusetts, Connecticut, Delaware, New Jersey dhe Rhode Island. Autoritetet lokale kanë vendosur kufizime të rrepta udhëtimi, ndërsa mijëra fluturime janë anuluar në të gjithë vendin.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS), stuhia pritet të jetë “nor’easter”-i më i fuqishëm në gati një dekadë për këtë rajon, duke sjellë reshje intensive bore, erëra të forta dhe përmbytje bregdetare.



Deri në mesnatën lokale, shumë zona të verilindjes ishin mbuluar nga disa centimetra dëborë. Në disa pjesë të shtetit të Nju Jorkut dhe Nju Xhersit janë regjistruar rreth 25 cm reshje.

Meteorologët paralajmërojnë se gjatë kulmit të stuhisë mund të bien 5–7 cm dëborë në orë, ndërsa trashësia totale mund të arrijë 30–60 cm, duke krijuar kushte udhëtimi “pothuajse të pamundura”.

Rreth 40 milionë persona janë nën paralajmërim për stuhi bore, ndërsa 19 milionë të tjerë nën paralajmërime për stuhi dimërore që përfshijnë rajone nga Karolina e Veriut deri në brigjet e Maine.

Ndërprerjet e energjisë kanë prekur mbi 150 mijë persona në shtetet verilindore, përfshirë 60 mijë vetëm në Nju Xhersi. Dhjetëra mijëra të tjerë kanë mbetur pa energji në Virxhinia, Delaware dhe Merilend.

Sipas platformës FlightAware, rreth 5.500 fluturime janë anuluar vetëm të dielën, ndërsa qindra të tjera janë vonuar.

Në New York City priten 50–60 cm dëborë dhe temperatura deri në -6°C. Për herë të parë në nëntë vjet, qyteti është vendosur nën paralajmërim për stuhi bore.

Kryetari i bashkisë, Zohran Mamdani, njoftoi mbylljen e shkollave dhe ndalimin e plotë të qarkullimit nga mbrëmja e së dielës deri në mesditën e së hënës, me përjashtim të rasteve emergjente.

Guvernatorja e shtetit të New York-ut, Kathy Hochul, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe vendosi në gatishmëri 100 pjesëtarë të Gardës Kombëtare, duke paralajmëruar se “do të jetë një stuhi siç nuk kemi parë prej vitesh”.

Masa të ngjashme janë marrë edhe në New Jersey, ku guvernatorja Mikie Sherrill e cilësoi këtë si stuhinë më të rëndë që nga viti 1996, si dhe në Rhode Island dhe Connecticut, ku janë pezulluar shërbimet e transportit dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve komerciale.

Në Kanada, veçanërisht në Nova Scotia, priten ndërprerje të përhapura të energjisë dhe dëmtime nga erërat e forta, sipas autoriteteve vendase.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!