SHQIPËRI- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar janë në terren pa ndërprerje, duke punuar për të mbajtur akset rrugore të hapura dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Sipas Ramës, për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e shiut dhe dëborës, janë angazhuar qindra punonjës dhe mjete të specializuara. Konkretisht, siç thotë Rama, në terren ndodhen 130 mjete borëpastruese, 577 mjete të tjera ndihmëse dhe rreth 800 punonjës.
Gjithashtu, për mirëmbajtjen e rrugëve janë siguruar 5 300 tonë kripë dhe 1 800 tonë granil, me qëllim garantimin e qarkullimit normal dhe sigurisë rrugore.
Kryeministri u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, të ulin shpejtësinë dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht në zonat ku ka prezencë të dëborës./abcnews.al


