Në një kanal kullues, në afërsi të ish repartit ushtarak në Durrës u shënua viktima e parë nga tërbimi i motit. Astrit Hysenaj i raportuar i zhdukur nga familjarët pasditen e 7 janarit, është gjetur i pajetë këtë të enjte.
Shërbimet e policisë në bashkëpunim me polumbarët e RENEA-s zhvilluan kërkime intensive për të gjetur trupin e të ndjerit Astrit Hysenaj.
Paraprakisht dyshohet se 54-vjeçari, punonjës I ndërmarrjes komunale në zonën e Plazhit të Durrësit, është marrë nga rrjedha e ujit.
Sipas Bashkisë së qytetit, Durrës, Astrit Hysenaj, punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh, ishte paraqitur normalisht në punë.
“Punonjësi i Ndërmarrjes Komunale Plazh, Astrit Hysenaj, më datë 6 janar është paraqitur normalisht në vendin e punës dhe ka qendruar deri ne oren 10. Rreth orës 16:00 të së njëjtës datë, familjarët e z. Hysenaj kanë kontaktuar përgjegjësin e Ndërmarrjes Komunale Plazh për të marrë informacion, pasi ai nuk ishte kthyer në banesë. Përgjegjësi i ndërmarrjes i ka informuar familjarët se punonjësi ishte larguar nga puna rreth orës 10. Më pas, familjarët kanë njoftuar Policinë e Shtetit.”
Përmbytjet në vendin tonë i morën jetën edhe një të moshuare në fshatin Progër në nëntor të 2025-ës, fshat i cili sërish u përmbyt edhe këtë janar.


