Jordania dhe Franca nënshkruan sot marrëveshje për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, në prani të Mbretit të Jordanisë, Abdullahut II dhe presidentit francez Emmanuel Macron, në Paris.
“Diskutova me presidentin Macron mbi mënyrat për të çuar përpara marrëdhëniet tona dypalëshe afatgjata dhe koordinimin e vazhdueshëm si dhe pamë nga afër nënshkrimin e një marrëveshjeje për bashkëpunim në mbrojtje“, tha Mbreti Abdullah në platformën amerikane të rrjeteve sociale X.
Ai nuk dha detaje mbi marrëveshjen apo fushat e bashkëpunimit në mbrojtje që ajo përfshin.
Mbreti i Jordanisë tha se ai dhe Macron u takuan me presidentin e Libanit, Joseph Aoun, dhe theksuan rëndësinë që Parisi të presë një raund të ri të takimeve të “Procesit të Akabës” (Aqaba Process) në mbështetje të ushtrisë libaneze.
“Mezi presim të vazhdojmë punën tonë për të arritur stabilitet në Liban dhe në rajon”, tha Abdullah. Të mërkurën, Oborri Mbretëror i Jordanisë njoftoi se Abdullah, Macron dhe Aoun do të drejtojnë raund të ri të takimeve të “Procesit të Akabës” në Paris, të enjten, për të diskutuar mënyrat e mbështetjes së ushtrisë libaneze.
Mbreti Abdullah e nisi “Procesin e Akabës” në vitin 2015 për të forcuar koordinimin, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ekspertizës midis partnerëve rajonalë dhe ndërkombëtarë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.
Raundet e mëparshme janë mbajtur në Jordani dhe në disa vende të tjera, përfshirë Spanjën, Shqipërinë, Indonezinë, Italinë, Brazilin, Bullgarinë dhe SHBA-në. Mbreti Abdullah u takua me Aoun në Paris të mërkurën dhe rikonfirmoi mbështetjen e Jordanisë për Libanin dhe sigurinë, stabilitetin e sovranitetin e tij, sipas njoftimit të Oborrit Mbretëror.
Ai gjithashtu bëri thirrje për t’i dhënë fund sulmeve izraelite në territorin libanez. Izraeli ka kryer agresion ndaj Libanit që nga 2 marsi, duke vrarë të paktën 4.381 njerëz, duke plagosur 12.402 dhe duke shkaktuar zhvendosjen e më shumë se 1 milion personave, sipas autoriteteve libaneze.

