Brukseli do të presë samitin e rradhës mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, të mërkurën e 17 dhjetorit.
Takimi i nivelit të lartë që bën bashkë lideret e rajonit me homologët europiane, mbahet për të katërtin vit rradhazi, në prag të mbledhjes së fundit të këshillit europian për këtë vit.
Në këtë takim, Shqipëria shkon me axhendë të përcaktuar për anëtarësim në Bashkimin Europian. Tirana zyrtare ka hapur të gjithë grupkapitujt e negociatave në harkun kohor të një viti ndërsa tashmë ka hyrë në një fazë të re; mbylljen e grupkapitujve.
Qeveria shqiptare është optimiste, sipas një kalendari të dakortësuar me komisionin, për mbylljen e negociatave teknike deri në 2027. Në mënyrë që brenda 2030, Shqipëria të jetë anëtare me të drejta të plota e BE-së. Ndonëse nga Brukseli nuk kanë munguar sinjalet pozitive, për një afat më të afert për Shqipërinë dhe Malin e Zi, të konsideruara pararojë në procesin e integrimit.
Për Maqedoninë e Veriut, samiti pritet të shërbejë si një mundësi për të nxjërrë në pah bllokimin e negociatave të anëtarësimit për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe me Bullgarinë.
Ndërsa Kosova, e cila ndodhet në prag të zgjedhjeve të parakohshme, do të ulet në tryezë në mes një krize politike dhe masave ndëshkuese. Në Serbi, udhëheqësit e BE-së, jo në pak raste kanë shprehur shqetësimin për forcimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës.
Gjithashtu plani i rritjes për ballkanin perëndimor prej 6 miliardë eurosh do të jetë pjesë e diskutimeve, i konsideruar gjerësisht në Bruksel si një nga mjetet më efektive për afrimin e rajonit me BE-në, si ekonomikisht ashtu edhe në aspektin e reformave.
Pas Brukselit, samiti I rradhës do të mbahet ne qershor në Mal të Zi, për herë të dytë në një vend të Ballkanit Perëndimor. I pari ishte në Tiranë, në dhjetor të 2022./abcnews.al

