Zgjedhje të lira, Basha: Pas festave prezantojmë propozimet për Reformën Zgjedhore

schedule21:15 - 19 Dhjetor, 2019

schedule 21:15 - 19 Dhjetor, 2019

Pas festave, PD do të prezantojë para qytetarëve propozimet e saj për Reformën Zgjedhore dhe kërkon që brenda muajit janar të miratohet kjo reformë, për tu hapur rrugë zgjedhjeve vendore dhe të përgjithshme sa me shpejt. Në një takim me ish-deputetët, të zhvilluar në selinë blu, Basha e orientoi fokusin e forumeve drejtuese të demokrateve tek zgjedhjet e parakohshme, të lira dhe të ndershme. Te gadishmëria për çdo vendim përballë bllokimit të reformës zgjedhore konsensuale nga kryeministri.

“Edi Rama po zvarrit miratimin e Reformës Zgjedhore, sepse nuk do që të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet janë kusht për nisjen e negociatave të Shqipërisë me BE”, tha Basha.

Burimet nga mbledhja e zhvilluar me dyer të mbyllura thanë se Basha është shprehur i hapur për të pranuar në parti çdo person që kundërshton qeverinë e Ramës” dhe po ashtu pro “zgjerimit të koalicionit opozitar”.

Vëmendje e veçantë për hapjen e partisë. Është momenti që të mirëpresim këdo që kundërshton regjimin e Ramës, që është në opozitë me të dhe kërkron të kontribuojë. Koalicioni ynë duhet bërë më i gjërë me çdo faktor, për të bërë sa më të shpejtë rotacionin politik.

Burimet nga mbledhja citojnë Bashën të ketë thënë se është drejt përfundimit programi ekonomik për nxjerrjen e vendit nga kriza.

“Brenda janarit do të përfundojë hartimi i alternativës sonë, në mënyrë konkrete, me përllogaritje për çdo fushë, çdo sektor, për çdo grup shoqëror, për bizneset e vogla dhe të mëdha, për investimet e huaja, për rininë. Të gjithë duhet ta dinë sot si do të jetë situata e tyrë në qeverinë tonë. Objektiv ynë është garantimi i votës së qytetarëve në zgjedhje të lira dhe të ndershme, nisje e negociatave për anëtarsim, zhvillim ekonomik, punësim për shqiptarët”, theksoi Basha.

Sipas Bashës, gjendja ekonomike dhe kriza politike janë rënduar pas dështimit të qeverisë për të menaxhuar pasojat e tërmetit dhe përpjekjes kriminale, siç e quajti ai, për tu mbyllur gojën mediave. Edhe zgjatja e  gjendjes se jashtëzakonshme, sipas kreut opozitar, ka për qellim fshehjen e krizës së thellë ekonomike ku është futur vendi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!