Nënkryetar i Këshillit bashkiak, Dorian Teliti është shprehur se Erion Veliaj ka të drejtë të flasë dhe se fjala e tij është një e drejtë Kushtetuese.
Gjatë intervistës në emisionin “Real Story” në ABC News, Teliti renditi disa arsye pse sipas tij është e rëndësishme sipas tij që Erion Veliaj të jetë i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ditën e nesërme. Teliti e cilëson Veliajn si kundërshtar politik, por thekson se shkarkimi i tij duhet të bëhet sipas ligjit, në mënyrë që në të ardhmen të mos kthehet në një “barrë për qytetarët, për një mungesë procedurale”.
“Kërkesa jonë që Veliaj të flasë është në zbatim të Kushtetutës dhe një e drejtë që e ka çdo kush. Veliajt nuk i është mbyllur goja, për është mbyllur fizikisht. Politikisht qëndrimi ynë është të largohet, por me procedurë ligjore që nesër të mos kthehet barrë për qytetarët e Tiranës, për një mungesë të vogël procedurale. Dhe më pas nga kemi paguar me taksat tona qindra mijëra euro. Mazhoranca në këtë rast po vepron gabim, po i mohonte një të drejtë kushtetuese një të pandehuri, ne opozita ngremë zërin për zbatimin e të drejtës kushtetuese në këtë rast është zoti Veliaj. Ne nesër e duam Veliajn përballë, politikisht flasim. Ka një procedurë. Këshilli Bashkiak do të duhej të mblidhte Kryesinë e Këshillit që ka detyrë mbarëvajtjen e punëve dhe ka për detyrë të ngrejë çdo problematike. Nuk u mblodh kurrë. Morëm njoftimin me ema-il që mbledhja do bëhej të martën në 16:00. Ne kemi bërë kërkesë para katër muajsh për shkarkimin e Veliajt, por nuk u mor parasysh nga PS. Ata nuk pranojnë të përfshijnë opozitën në hartimin e projektvendimit. Kanë përsipër të veprimin për të gjithë pjesën procedurale”, tha ai.
Gjithashtu gjatë intervistës shtoi se nesër do të votojnë, siç edhe e kanë deklaruar, pro shkarkimit të Veliajt.
“Erion Veliaj në të kaluarën ka bërë me dhjetëra herë kërkesë për të qenë në mbledhjen e Këshillit. Por kur është Këshilli që i drejtohet SPAK dhe thotë qytetari Erion Veliaj që do trajtohet statusi i tij i mandatit nga këshilli Bashkiak ka të drejtë të dëgjohet para Këshilli Bashkiak. Kjo iniciativë duhet të ishte marrë nga mazhoranca. Në momentin që kjo gjë nuk ka ndodhur, ne politikisht duam të kemi përballë. Ai të thotë të drejtat e veta në të drejtat tona”, tha ai.

