Spitali i Laçit jep shërbimin e tij në një çadër. Shërbimet problematike, gjithashtu edhe urgjencat spitalore, jepen në çadra. Rastet më urgjente sipas komunikimit me Drejtorin e Spitalit, shkojnë drejt spitalit të Lezhës dhe drejt Tiranës.
Siç shihet edhe nga pamjet, të gjithë pacientët e qytetit të Laçit, trajtohen në këtë çadër. Çadrat nuk kanë qenë komfort për dhënien e shërbimit të urgjencës megjithatë situata paraqitet e qetë.
Por sa kohë mund të vazhdojë kjo situatë?
Gazetari Juxhin Mustafaraj ka raportuar për abcnews.al se sipas autoriteteve, spitali i Laçit është shpallur si një godinë që duhet shembur, ndërkohë janë duke u instaluar kontenierë, të cilët do të presin urgjencat për pacientët e këtij qyteti.
Për zgjidhje më afatgjata, nuk është bërë me dije ende asgjë. Në këtë moment zgjidhja e vetme është kjo, që shërbimi merret në ambientet e çadrave.
Me sa duket Ministria e Shëndetësisë është ende e paqartë, dhe e pavendosur, se çfarë do të bëhet me spitalin e Laçit./abcnews.al