TIRANË– Kryeministri i vendit, Edi Rama ka deklaruar se bojkoti i mësimit është i papranueshëm.
Ai u shpreh se është i vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballen studentët, por theksoi se nuk pranon gjuhën e forcës, imponimit dhe dhunës. Ai nënvizoi se normat e bashkëjetesës demokratike dhe respekti në komunikim nuk janë të negociueshme.
Kreu i qeverisë u bëri thirrje studentëve për dialog, duke u shprehur i gatshëm të takohet me ta në çdo vend dhe në çdo kohë për të diskutuar mbi kërkesat dhe çështjet që lidhen me universitetin dhe Shqipërinë.
“Dua të them që në fillim: Klima e terrorit të krijuar në mjediset e shkollës apo në celularët tuaj, nga një pakicë e dhunshme mbi shumicën, për të dalë në protestë apo për të mos bërë mësim, është e papranueshme. I papranueshëm është edhe bojkoti i mësimit nga një pjesë e pedagogëve, individë të politizuar që duan të përdorin studentët si mish për top dhe nuk e kanë për herë të parë.
Për këtë të fundit do të ndërhyjmë në ligjin përkatës pasi të konsultohemi edhe me forumin e rektorëve, sepse tjetër është liria dhe e drejta e kritikës, protestës apo e grevës së ligjshme, tjetër është arbitrariteti dhe imponimi mbi ata që duan të bëjnë mësim.
Por përtej këtyre, dua të ndaj me ju drejtpërdrejtë, në sy të të gjithë shqiptarëve, disa të vërteta të thjeshta.
Së pari, jini të bindur se unë jam shumë i vetëdijshëm për vështirësitë e familjeve të shumë prej jush, të cilat janë sfiduar nga rritja e kostove të jetesës dhe këtë vetëdije e tregon qartë edhe paketa e masave lehtësuese që sapo paraqita.
Jam po ashtu i vetëdijshëm edhe për sfidat tuaja dhe nuk dua të bëj kurrsesi krahasime me brezat e mëparshëm, por për një gjë dua të jem shumë i sinqertë me ju:
Unë gjuhën e forcës, të imponimit, të dhunës, nuk e njoh dhe civilizimin europian, traditën shqiptare të radhës në të folur apo normat e bashkëjetesës demokratike, nuk i negocioj me askënd.
Kur isha pedagog i ri, bashkë me të tjerë pedagogë dhe studentë në Akademinë e Arteve, u rebelova ndaj një regjimi brutal pikërisht sepse doja liri, jo imponim, doja dialog të lirë jo dhunë qorre mbi cdo mendim dhe në vazhdën e atij rebelimi të guximshëm po paqësor që u përhap në të gjithë universitetin, studentët e ulën në dialog Presidentin komunist dhe nga aty mori jetë pluralizmi politik.
Më pas, kur isha lider i opozitës, unë i kam shkruar edhe letra për dialog paraardhësit tim, që dialogun me kundërshtarin e di ulje përtokë të hundës së përpjetshme.
Dhe si kryeministër, me dialog e koordinova përpjekjen e përbashkët me studentët për Paktin për Universitetin, pas protestës masive të vitit 2018. Edhe atëherë, u deshën disa javë që të niste dialogu, sepse edhe atëherë, po ata tipa të mbrapshtë mes pedagogëve tuaj, nga një qorr neo-komunist tek ca të verbër demokratikas, bashkë me të reja e të rinj që u venin pas si ithtarët idhujve të rremë, bënin po këtë punë që bëjnë sot: ‘’S’ka dialog, plotëso pikat tona’’!
Mirëpo halli është se sikur të funksiononte kështu liria, nuk do kishte më bashkëjetesë demokratike, po mbijetesë xhungle, kështu që ‘’o bëj si themi ne o ne do thyejmë e do djegim dynjanë, e nuk do shkojmë në mësim, po s’duam mungesa’’ e të tjera si këto, nuk ka!
Ejani të ulemi ku të doni e kur të doni për ato që mendoni se ne duhet të bëjmë më shumë dhe unë duhet të bëj më mirë, për ju, për universitetin dhe për Shqipërinë po të doni.
Dhe ju lutem mos e hani më atë teorinë hileqare që jua përsërisin ata të keqkuptuarit ndër ju që kapën gurët dhe që morën duartrokitjet e atyre të tjerëve në ekranet e korruptuara, se medemek unë nuk ju dëgjova katër muaj në protestë paqësore, prandaj dhuna na paskësh mbetur e vetmja rrugë. Në fakt, unë i dëgjova ata më shumë se askush, se i kisha përnatë këtu poshtë dritares, ndërkohë që unë isha në zyrë duke punuar po kryefjala e tyre ishte po ajo e ditës së parë: ‘’Nuk ka dialog, jep dorëheqjen’’!”, Por idetë nuk arrita t’i shqyrtoja dot në atë kakofoni.”, tha Rama.


