Basha në Tiranë: Nisma e opozitës, vullnet për reformën në drejtësi

schedule15:17 - 16 Janar, 2018

schedule 15:17 - 16 Janar, 2018

Takimin e rradhës e zhvilloi në Tiranë. Kreu i opozitës i thirri qytetarët në protestë, jo për të bërë rotacionin politik të një partie me tjetrën sipas tij, por për të ngritur zërin për çdo problem dhe për të mos pranuar aleancën e kësaj qeverie me krimin. Nisma e deputetëve demokratë për të sjellë situatën në binarë kushtetues tregon edhe vullnetin dhe kontributin e kësaj force politike për reformën në drejtësi, theksoi Lulzim Basha.

Kreu i opozitës Lulzim Basha në bashkëbisedim me demokratët e kryeqytetit, u tha atyre se nisma e paraqitur në parlament nga deputetët demokratë, që do të rregullonte mos-përputhshmërinë e ligjit të ksuhtetutës me procedurën e zgjedhur për emërimin e prokurores së përkohshme, tregon vullnet për zbatimin e reformës në drejtësi.

“E pra ky është një akt i përgjegjshëm politik, i cili bëhet për t’ia davaritur çdokujt dyshimin se Partia Demokratike ka ndonjë axhendë tjetër përveç se përshpejtimit të Reformës në Drejtësi. Se afërmendsh, opozita nuk ka dhe nuk mund të ketë aleatë më të mirë në luftën kundër krimit dhe kriminelëve dhe të korruptuarve, se sa një drejtësi që funksionon”.

Por për kryeopozitarin, refuzimi ka një shpjegim, nevojën për mbylljen e çështjeve krinimale si dhe kapjen përmes presionit të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

“Saimir Tahiri kapet nga antimafia duke përfituar dhjetëra, mijëra euro varëse e byzylykë floriri. 5 milionë euro në muaj nga trafikantët e drogës dhe Edi Rama ndalon arrestimin e tij. Përse? Fare e thjeshtë, sepse arrestimi i Sajmir Tahirit, është hapi i parë drejt arrestimit dhe vënien para drejtësisë të Edi Ramës, si koka dhe arkitekti i kanabizimit dhe kriminalizimit të Shqipërisë. Po mbron veten e tij. Kaq e thjeshtë është”.

27 Janari duhet të jetë mikrofoni i çdo qytetari sipas Lulzim Bashës, ku secili të dëgjohet për problemin që ka, jo politikën që mbështet.

“Nuk shkojmë për të bërë Lulzim Bashën Kryeministër. Shkojmë për të çliruar Shqipërinë nga krimi. Për të çliruar drejtësinë nga krimi! Për të çliruar qeverinë nga krimi, për të çliruar ekonominë nga krimi. Vetë protesta do të jetë numerikisht, shumë e shumë herë më e madhe se bashkimi i kopukëve dhe horrave e kriminelëve të Edi Ramës, ndërsa zëri i protestës, do të jetë zëri i shumicës absolute të shqiptarëve”.

“War is over, if you want it”, Lufta Mbaron po të duash ti. Ishte ky mesazhi i fundit që kreu i opozitës ia drejtoi çdo shqiptari./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!