Tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar dëme dhe në maternitetin “Koco Gliozheni” në Tiranë. Pas denoncimit nga ish deputeti i PD, Bardh Spahia. Drejtori i maternitetit, Genci Hyska thotë për ABC News, se dëmet po riparohen dhe nuk është ndërprerë shërbimi ndaj pacienteve.
Lëkundjeve të tokës së 26 nëntorit nuk i ka shpëtuar as materniteti “Koço Gliozheni” në Tiranë. Dëmet e tërmetit i denoncoi në Facebook ish-deputeti i Partisë Demokratike Bardh Spahia.
Komentin e tij në rrjetin social Spahia e shoqëron me 14 foto pjesë e të cilave është dhe akti i konstatimit të Institutit të Ndërtimit.
Në këtë dokument shkruhet se objekti nuk ka probleme në strukturë. Evidentohen çarje në murin e shtesës katër katëshe në anën jugore të objektit. Ndërkohë kërkohet ndërhyrje urgjente për realizimin e fugave ndarëse e riparim të mureve pasi në rast lëkundjesh të tjera ato pësojnë zhvendosje.
Për situatën ne pyetëm drejtorin e maternitetit “Koço Gliozheni” sipas të cilit godina është inspektuar nga tre grupe të pavaruara ekspertësh që kanë dalë në këtë përfundim.
Por si po menaxhohet situata dhe çfarë po ndodh me pacientët?
“Nuk ka dëmtime në strukturën e godinës janë thjesht dëmtime të riparueshme”, tha Drejtori i maternitetit Genci Hyska.
Zona ku merret shërbim nga ajo e dëmtuar ku po punohet është ndarë në këtë mënyrë.
“Zonat ku janë më të dëmtuara i kemi nxjerrë jashtë funksionit dhe tashmë kanë filluar punën firmat për likuidimin e këtyre dëmeve, por ka një radhë puna për këtë. Nuk kemi patur as komplikacionin më të vogël sepse i kemi të gjitha kapacitetet për të përballuar punën”, tha ai.
Kjo sipas inxhinierit që po mbikëqyr riparimet është pjesa që ka pësuar më shumë dëmtime
Ndërkohë në maternitetin “Koço Gliozheni” vijojnë hyrje-daljet e pacienteve por dhe familjarëve të tyre./abcnews.al