Komisioni Evropian tha se ka angazhuar ekipe nga vendet e BE-së për të ndihmuar Shqipërinë. Solidaritet për fatkeqësinë natyrore me 16 viktima, kanë shprehur liderët e institucioneve kryesore në Europe.
Bashkimi Evropian ka shprehur ngushëllimin e thellë për njerëzit dhe autoritetet e shtetit ndërkohë që qëndron në solidaritet me Shqipërinë dhe është gati të ofrojë ndihmën e saj. Mekanizmi europian për mbrojtjen e civilëve dhe Qendra Koordinuese për Rastet e Emergjencave të BE (ERÇ) kanë ofruar ndihmë dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare. Në vazhdën e tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë sot në mëngjes herët duke shkaktuar humbjen e shumë njerëzve dhe plagosjen e shumë të tjerëve, ne shprehim ngushëllimet tona të përzemërta për njerëzit dhe autoritetet e vendit, deklaroi shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini.
”Bashkimi Europian solidarizohet me Shqipërinë dhe është i gatshëm të ofrojë ndihmë, përfshirë edhe përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Unionit. Qendra jonë e Koordinimit për Reagimin e Emergjencave (ERÇ) ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare të mbrojtjes civile”, deklaroi Mogherini. ”Mbetemi në kontakt me qeverinë shqiptare për të identifikuar mënyrat më të mira për të ndihmuar Shqipërinë në këtë kohë të vështirë që po kalon”, theksoi ajo.
Shumë të shqetësuar për tërmetin shkatërrimtar në Shqipëri, shkruan komisioneri i zgjerimit në largim Johannes Hahn, duke theksuar se BE-ja është pranë Shqipërisë në këtë moment të vështirë.
“I brengosur thellësisht për tërmetin shkatërrues të tokës në Shqipëri, unë po dërgoj ngushëllimet e mia të sinqerta familjeve të viktimave dhe shpresoj për shërim të shpejtë të shumë të plagosurve”, tha Hahn.
Ndërsa Mina Andreeva, kryezëdhënëse e Komisionit Europian deklaroi në konferencwn e mesditës së Komisionit Europian se është aktivizuar edhe sistemi Kopernikus i Unionit.
“Ne jemi tronditur nga tërmeti që ka prekur Shqipërinë këtë natë dhe që ka marrê së pakur jetën e 7 personave. Shefja e diplomacisë europiane, Fderica Mogherini dhe komisioneri Sylianides kanë publikuar një deklaratë, ku shprehen ngushëllimet tona dhe solidariteti ynë me Shqipërinë. Ekipe nga Italia, Greqia dhe Rumania janë mobilizuar dhe ekipe nga Gjermania,Hungaria, Kroacia, Franca, Slloveni, Letonia, Republika Ceke dhe Turqia. Përveç kësaj, ne kemi aktivizuar sistemin Kopernikus për prodhimin e imazheve satelit për zonat e prekura. Komisioneri Stylianides ka folur me presidentin Ilir Meta dhe ne mbetemi në kontakt permanent me autoritetet e mbrojtjes civile».
Ndërkohë, midis vendeve të rajonit që i dolën në ndihmë Shqipërisë, është edhe Serbia. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama konfirmoi se ka folur me presidentin serb Vuçiç, ndërkohë që Serbia po e dërgon një skuadër mbështetëse në Shqipëri. Kryeministri i Malit të Zi, Markoviç, njoftoi gjithashtu se një skuadër speciale mbështetje për të dëmtuarit po niset drejt Shqipërisë.
Qyteti i Shkupit ka dërguar ekip të pajisur me dron dhe kamera termale për gjetjen e viktimave të mundshme në rrënoja, një dron pa pilot që bën identifikimin 3D të terrenit dhe një ekip tjetër prej 4 zjarrfikësve. “Po bëjmë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar në këto kohë tragjike”, tha Shilegov në Facebook. Po ashtu edhe Komuna e Çairit miratoi vendimi të ndajë një shumë parash prej 720 mijë denarë për të ndihmuar. Ndërkaq kryetari i Komunës së Çairit propozoi edhe themelimin e Këshillit për emergjencë nga një përfaqësues të të gjitha partive. Edhe kjo pikë kaloi me 19 vota pro dhe asnjë kundër nga Këshilli i komunës. /abcnews.al