Franco Lerda, trajneri i Partizanit, para ndeshjes me Laçin ka dalë para mediave dhe ka folur për sfidën e radhës. Italiani komentoi formën që po kalojnë kurbinasit, gjendjen e skuadrës së tij, rikthimet në ekip dhe mundësinë e shkëputjes nga skuadrat rivale.
FORMA E RIVALIT – “Laçi vjen nga katër fitore. Që kur ka ndryshuar trajneri kanë fituar dhe kanë humbur vetëm ndaj Tiranës. Vijnë nga një moment shumë i mirë dhe e ne dimë. E kemi përgatitur ndeshjen dhe kemi punuar mirë. Lojtarët nga kombëtaret na kanë ardhur në një formë të mirë. Besoj se do bëjmë një ndeshje të mirë”.
GATISHMËRIA E EKIPIT – “I kam parë në një në një formë të mirë djemtë, kemi përfituar nga ndalesa e kampionatit. Jemi mirë në aspektin fizik dhe psikologjik. Sigurisht që edhe kundërshtari është në një moment të mirë. Jemi Partizani dhe do të kërkojmë të bëjmë lojën tonë. Barazimi? Më është bërë shpesh kjo pyetje. Jo vetëm këtu te Partizani, por kudo ku kam drejtuar mentaliteti është që të fitojmë. Në fushë pastaj vendoset gjithçka”.
SHKËPUTJA – “Nuk shoh klasifikim, mendoj të përgatis ndeshjen si duhet, të fokusohemi tek ajo. Me rëndësi për mua është që skuadra të marrë maksimumin. Diferenca me rivalët do të shihet 4-5 javë nga fundi i kampionatit”.
SHTYRJA E NDESHJES – “Vendimi ishte i detyruar. Nuk m’i ka prishur planet. Kam diskutuar edhe unë përsa i përket kësaj çështje. Kishim probleme për shkak se kishim lojtarë në kombëtare. Disa ditë më shumë stërvitje me grupin ishte më mirë”.
PARTIZANI I VËRTETË – “Nesër do të kemi një numër të madh lojtarësh dhe më shumë mundësi zgjedhjesh. Partizanin e vërtetë e kam parë edhe në ndeshjet e tjera, nuk e di në çfarë kuptimi e keni. Partizani më i bukur, më i fortë? Jam i kënaqur me grupin e lojtarëve. Edhe kur kemi pasur dëmtime, ata që i kanë zëvendësuar kanë dhënë më të mirën. Jam i kënaqur me atë që kanë bërë”. /abcnews.al