Si u fut në grackë polici i gjobave/ Gazmir Preçi u arrestua nga BKH. Kishte të kaluar jo të pastër

schedule17:29 - 16 Gusht, 2024

schedule 17:29 - 16 Gusht, 2024

Gazmir Preçit iu vunë prangat, mbrëmjen e 15 gushtit, në zonën e Kinostudios, për shkak se sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), ai kishte kërkuar një biznesmeni 20 mijë euro në mënyrë që të mos i mbyllte aktivitetin.

Disa ditë më parë, Gazmir Preçi, është paraqitur tek një lokal nate, në afërsi të Urës së Dajlanit ku ka takuar pronarin dhe i ka thënë se ka disa vajza që punonin të paregjistruar.

Më pas shefi i anti-trafiqeve, i ka dërguar një sekse , biznesmenit që t’i kërkonte 20 mijë euro në mënyrë që të mos kryheshin veprime. Pronari i klubit të natës, në këto kushte i është drejtuar drejtorisë së AMP duke bërë denoncim, ndërsa këta të fundit kanë referuar rastin në SPAK.

Agjentët e AMP dhe të BKH, kanë marrë një shumë prej 10 mijë eurosh me numra serial të regjistruar dhe ia kanë dhënë pronarit që ishte shantazhuar për dhënie pasurie.

Ky i fundit ka komunikuar me Gazmir Preçin duke i thënë që nuk ka nevojë për sekser, por paratë do ia dorëzonte vetë atij. Teksa kanë lënë një takim në zonën e Kinostudios në Tiranë, pronari i klubit të natës është pajisur me kamera dhe me përgjues.

Ndërkohë në ambientet ku do takoheshin janë vendosur agjentet e AMP. Sapo janë takuar pronari i lokalit i ka dhënë lekët Gazmir Preçit dhe më pas kanë ndërhyrë agjentët e AMP duke e arrestuar në flagrancë.

Shefi i sektorit kundër trafiqeve dhe drogës në policinë e Durrësi, kryekomisar Gazmir Preçi, i cili u arrestua pas hetimeve të kryera nga SPAK dhe AMP, nuk është hera e parë që përballet me akuza të rënda.

Në vitin 2021 kur ky oficer policie mbante postin e shefit të Krimeve në Mallakastrës u ndalua së bashku me 4 policë të tjerë të Fierit, pasi u dyshuan  se janë të përfshirë në kultivimin e kanabist.  Çështja u mbyll dhe Gazmir Preçi, u emërua në Durrës si shef sektori për narkotikë.

Për këtë rast një reagim ka ardhur edhe nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, i cili shprehet se çdo polic që shkel ligjin do marrë ndëshkimin më të ashpër. Tashmë hetimet janë shtrirë nga SPAK dhe AMP edhe për raste të tjera që dyshohet se Gazmir Preçi ka kërkuar para. Po ashtu po hetohet edhe për identifikimin e sekserit që përdorte Gazmir Preci./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!