Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministra të tjerë kanë kritikuar ashpër planet e raportuara të administratës Biden për të sanksionuar një njësi të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) për abuzime të dyshuara të të drejtave të njeriut në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Abuzimet e supozuara i paraprijnë sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor dhe thuhet se kanë përfshirë anëtarë të batalionit Netzah Yehuda në Bregun Perëndimor të pushtuar, shkruan CNN.
Netanyahu postoi në X në fundjavë: “Nuk duhet të vendosen sanksione ndaj Forcave të Mbrojtjes të Izraelit!”
“Në një kohë kur ushtarët tanë po luftojnë përbindëshat e terrorit, qëllimi për të vendosur një sanksion ndaj një njësie në IDF është kulmi i absurditetit dhe një nivel i ulët moral,” tha Netanyahu.
Netanyahu pretendoi se ai dhe qeveria e tij do të “veprojnë me të gjitha mjetet” kundër përpjekjeve të SHBA për të sanksionuar qytetarët izraelitë.
Javën e kaluar, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se ai kishte vendosur nëse do të shkurtonte fondet për njësitë e caktuara të sigurisë izraelite për raportet e abuzimeve të të drejtave të njeriut para 7 tetorit. Ai nuk e përmendi emrin Netzah Yehuda./abcnews.al