Sulmet iraniane mbi Izrael mbyllën për disa orë hapësirat ajrore të tre shteteve. Kjo ka prekur edhe disa shqiptarë.
ABC News ka mësuar se të paktën 5 persona nuk mundën dot të fluturonin drejt Tiranës mëngjesin e kësaj të diele, pasi fluturimet u anuluan.
Grupi përbëhet nga punonjës të ministrisë së turizmit dhe operatorë turistikë. Në grup ishte edhe një fëmijë i mitur.
Personat kishin udhëtuar drejt Izraelit për të marrë pjesë në një aktivitet promovues të potencialit turistik të Shqipërisë, organizuar nga ambasada jonë atje.
Përshkallëzimi i situatës ka bërë që Ministria jonë e jashtme, qysh ditën e enjte tu kërkonte këtyre personave të ktheheshin në Shqipëri, thirrje të cilat nuk janë marrë seriozisht.
Pas ngjarjeve të fundit, Ambasada jonë në Izrael ju ka siguruar atyre një fluturim kthimi në Shqipëri, përmes një fluturimi tranzit me nisje pasditen e së dielës.
Në Izrael, jetojnë përkohësisht edhe 8 studentë shqiptarë.
Mundësimi i kthimit të tyre, nëse do ta kërkojnë një gjë të tillë, do të bëhet në përputhje me rregullat e reja të sigurisë që do të njoftojë Izraeli, pas vendimeve ushtarake që do të merren. /abcnews.al