Të paktën 12 persona u plagosën të hënën nga një shpërthim pranë kufirit verior të Izraelit me Libanin, raportuan mediat izraelite. Katër prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë.
Sipas së përditshmes izraelite Yedioth Ahronoth, të plagosurit ishin anëtarë të një grupi që po zhvillonte një aktivitet ecjeje malore në zonë.
Portali Times of Israel raportoi se ekipet mjekësore dhe forcat ushtarake izraelite ndërhynë pas njoftimeve për një shpërthim në zonën e Ramim Ridge, përgjatë kufirit me Libanin.
Sipas raportimeve paraprake, shpërthimi dyshohet se është shkaktuar nga municione të pashpërthyera, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të incidentit.
Deri më tani, nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi rrethanat e shpërthimit.


