Tronditet atmosfera tek Partizani pas konfliktit mes trajnerit Lerda dhe ndihmësit të tij Mehmeti. Klubi e ka të vështirë të marrë një vendim për shkak të rrogës tepër të lartë të italianit.
Ishin minutat e fundit dhe u gjet preteksti. Një zëvendësim i zakonshëm besohet se krijoi shkëndijën e fundit të një konflikti që po dëmton Partizanin e këtij sezoni, atij mes trajnerit Franko Lerda dhe ndihmësit të tij, Dritan Mehmeti.
Në përfundim të ndeshjes me Kukësin në “Selman Stërmasi”, në dhomën e zhveshjes, të dy patën debat dhe gati sa nuk u përplasën fizikisht, pasi italiani kërkoi llogari se përse ndihmësi i tij nuk ishte dakord me zëvendësimin e Bardhit me Brown, por donte në fushë Asanin.
Drejtori sportiv, Olsi Rama, e minimizoi ngjarjen, duke u shprehur se kishte qenë dëshmitar okular, veçse burime në skuadër pohojnë për Abc News se atmosfera është e rëndë, madje tekniku ka kërcënuar të largohet nëse Mehmeti nuk përjashtohet.
Edhe vetë drejtuesit e Partizanit mësohet se janë të ndërgjegjshëm për situatën, veçse nuk e kanë të lehtë të marrin një vendim. Trajneri pranoi të merrte detyrën me kontratë të rregullt dhe në mënyrë jozyrtare mësohet se rroga e tij është tepër e lartë, 13 000 euro në muaj, gjë që ia bën klubit ta ketë të vështirë shkarkimin.
Ndihmësi Mehmeti është ndjerë I ofenduar nga sjellja e italianit që përpara ndeshjes me Kukësin, ndërsa mes tyre ka pasur përplasje që në korrik të këtij viti. Në atë rast, trajneri përjashtoi nga stërvitja ndihmësin si dhe përgatitësin atletik, Korrado Sakone, të cilin e zbritën në ekipin B. Nuk vlejti fakti që ai ka punuar për 8 vjet në një klub të madh si Napoli.
Lerda besohet se ka marrëdhënie të tensionuara me disa lojtarë dhe burime në ekip pohojnë se kjo ka penguar që të krijohet shkëputje në Superligë. Italiani ishte i nervozuar gjatë gjithë ndeshjes me Kukësin, aq sa u përplas me trajnerin e verilindorëve, Shpëtim Duro, duke lëshuar edhe batuta.
Arsyeja e protestave të Lerdës ishin vonesat e lojës. Vetë ai bëri këtë analizë për ndeshjen dhe përplasjen me Duron, por nuk foli për Mehmetin. Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, gjithashtu nuk komentoi sherret e brendshme. “Demat” mbeten në krye të Superligës pavarësisht tensioneve dhe një arsye madhore besohet se është korrektesa e presidentit, pasi burime në ekip bëjnë me dijë se nuk ka vonesa për rrogat. ABC NEWS ALBANIA 24/7