Kryeministri Edi Rama gjatë një konference për politikat e SHBA në Ballkanin Perëndimor, e ka kritikuar edhe njëherë bashkimin Europian për refuzimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Rama tha se BE e ka dëshmuar disa herë se nuk e mban fjalën, sikurse ka vepruar edhe me Kosovën. Ndërsa e ngarkuara me punë e ambasadës amerikane në Tiranë, Lejla Moze Onesh tha se Shqipëria po punon fort në fushën e sundimit të ligjit dhe vendin e ka në BE.
I ka bashkuar Politika amerikane në Ballkan për t’i drejtuar mesazhe Kinës Rusisë dhe Iranit se Shqipëria nuk është në krahun e tyre.
“Shqipëria është përgjigjur prerë dhe ka mbajtur qëndrime parimore të përshëndetur nga SHBA-ja përsa u përket kërkesa të bëra nga Kin, Rusia dhe Irani për çështje interesash”.
Jo vetëm kaq por e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë në emër të Shqipërisë i ka treguar kundërshtarëve të vendit të saj se makinacionet ruse nuk do të mund të depërtojnë dot.
“Për Rusinë dhe Kinën, Ballkani është mjet që të shfrytëzohet dhe të flaket tej, ata duan të minojnë modelin perëndimor. Irani ka shfrytëzuar praninë në Tiranë për të shkatërruar kundërshtarët. Shqipëria ia ka bërë të qartë Kinës, se disa gjëra nuk janë në shitje dhe ka refuzuar makinacionet ruse”.
Kryeministri Edi Rama ndalet tek aktualiteti i politikës shqiptare duke i kujtuar Shteve të Bashkuara të Amerikës por edhe Bashkimit Evropian në veçanti se nuk janë të angazhuar me aleatët në këto procese të ndërlikuara, sepse ua kërkojnë ata por sepse e kërkon destinacioni historic.
“Sepse të njëjtat gjëra që Shqipëria duhet dhe do të bënte pasi të merrte “PO”-në, të njëjtat gjëra duhet dhe do të bëjë pavarësisht se “PO”-ja nuk erdhi dhe mund të vijë, apo mund të mos vijë në muajt e ardhshëm, apo në vitet e ardhshme, kjo nuk varet nga Shqipëria, kjo nuk varet nga çfarë bëjmë ne, kjo definitivisht varet nga çfarë duan apo nuk duan të bëjnë ata me veten e tyre dhe me perspektivën e Ballkanit Perëndimor në raport me familjen e Europës së Bashkuar”.
Fundin e fjalës së tij ia dedikoi skeptikëve holandezë që duket se nuk janë të tillë kur vijnë në Shqipëri dhe marrin shijen e ushqimit dhe kënaqësitë e tjera që të fal ky vend.
“Këtë mund t’jua them jo vetëm si banor i Tiranës, por edhe si një njëri që kam patur fatin të shikoj që edhe vetë holandezët mrekullohen kur vijnë në Tiranë dhe thonë që është komplet ndryshe Shqipëria nga çfarë ne e mendojmë dhe pastaj kur kthehen, e shikojnë ashtu siç e mendojnë dhe jo ashtu siç e kanë parë”. /ABC News Albania 24/7