Flamur Noka është një nga 23 deputetët e përjashtuar që erdhi në Kuvend edhe pse nuk i lejohej hyrja.
Opozitarët nuk i përdorën kësaj radhe grushtat dhe bryllat ndaj oficerëve të gardës, por e dhanë mesazhin me simbole.
Miellit nuk i shpëtoi as administrata e Kuvendit, e cila u sulmua edhe me vezë.
Përmes simboleve foli edhe Dashnor Sula, i cili ironizoi qeverinë për rikthimin e lojërave të fatit.
Paralelisht me protestën e Sulës që ju hodhi socialistëve para false në sallë, mazhoranca e tërhoqi ligjin që rikthen bastet online duke mos e votuar as kësaj jave.
Kuvendi votoi rendin e ditës pa zhvilluar diskutime. Mes tyre, u miratua edhe një dekret i Presidentit, duke i pranuar Begajt vërejtjet për ligjin e dekoratave, i pari që ky kryetar shteti ktheu pas.
Lulzim Basha, që kishte hyrë brenda herët në mëngjes për të shmangur përplasjet me grupin e Berishës dhe Bardhit, nuk votoi nismat e qeverisë, por nuk i shpëtoi akuzave nga Foltorja.
Arsyeja pse kryetari i PD-së erdhi në Kuvend, lidhej me një amendament që ai kishte propozuar, të cilin mazhoranca ja rrëzoi.
Pas këtij momenti, Basha u largua nga salla.
Grupi i të përjashtuarve që po priste në oborr, nuk e përfilli parakalimin e ish-liderit.