Një gol i Alvaro Moratës i dhuroi fitoren Atletico Madrid në mesjavë në Champions League. Ekipi i Diego Simeones triumfoi në shtëpi përballë Bayer Leverkusen, teksa nesër do të zbresë në fushë për llogari të kampionatit spanjoll.
“Colchoneros” do të presin Athletic Bilbao. Kreu është vetëm tre pikë larg, por më parë duhet thyer tersi i barazimeve. Tre ndeshjet e fundit të Atleticos në kampionat janë mbyllur pa fitues dhe Simeone zbulon problemin e madh.
Sulmi po vuan dhe Atletico ka shënuar vetëm 8 gola në 9 ndeshjet e para. Trajneri argjentinas analizon këtë “thatësirë” në prononcimin e dhënë përpara ndeshjes me baskët dhe fton të gjithë lojtarët që të kontribuojnë në repartin ofensiv.
“Nuk duhet të shënojmë gjithmonë me Moratën apo Diego Costën. Mund të arrijmë te goli me goditje standarte, gjuajtje nga distanca ose edhe falë mesfushorëve ofensivë. Të gjithë duhet të kontribuojnë në fazën sulmuese dhe po punojmë shumë në këtë aspekt“, përfundon trajneri i Atletico Madrid. /abcnews.al